Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Kusari-Lila falënderon opozitën për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

Kusari-Lila falënderon opozitën për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka falënderuar, deputetët e të gjitha partive në Kuvendin e Kosovës, për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtar.

Sipas saj, përmes miratimit të këtyre marrëveshjeve Kosova do të përfitojë projekte në vlerë 275 milionë euro.

“Sot Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi tetë Marrëveshje Ndërkombëtare. Ndërsa, javën që lamë pas deputetët e Kuvendit gjithashtu votuan dymbëdhjetë (12) Marrëveshje Ndërkombëtare, duke miratuar kështu projekte në vlerë totale prej 275 milion Euro”, ka thënë Kusari-Lila përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook.

Ajo ka vlerësuar edhe konstruktivitetin e treguar nga deputetët e opozitës.

“Me ketë rast, falënderoj deputetët e Kuvendit të Kosovës nga të gjitha grupeve parlamentare për bashkëpunimin dhe konstruktivitetin e treguar në shtyrjen përpara të agjendës legjislative”, ka theksuar ajo.

Votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nga PDK-ja, erdhi pas takimit që pati kryetari i saj me kryeministrin Albin Kurti.