Kuvendi i Kosovës ka miratuar marrëveshjen ndërkombëtare me Danimarkën, për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze.
Kryekuvendari Glauk Konjufca tha se këtë marrëveshje e votuan 86 deputetë, ndërsa 7 kanë votuar kundër, raportojnë mediat e Kosovës.
“86 e kanë mbështetë, shtatë kundër dhe asnjë abstenim nuk ishte, e një deputet nuk ka marrë pjesë fare ne votim”, tha Konjufca.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se qëllimi i këtij traktati është forcimi i mëtutjeshëm i bashkëpunimit mes Danimarkës dhe Kosovës, duke marrë parasysh zhvillimet pozitive në sistemin e shërbimit korrektues në vendin tonë dhe përfitimet që do kemi nga ky traktat.
“Sipas traktatit Kosova do t’i vë në dispozicion kapacitetet e përshtatshme për 300 të burgosur të Danimarkës dhe rrjedhimisht Kosova do të përfitojë në këmbim tarifë vjetore fikse për shfrytëzimin e burgut prej 15 milionë euro dhe 6 milionë euro të tjera për energji të gjelbër të cilat i kemi shumë të nevojshme”, tha ministrja.