Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Art > Kërkimi i kuptimit për Zotin në mes të vuajtjeve kolektive

Kërkimi i kuptimit për Zotin në mes të vuajtjeve kolektive

Shkruan: Afrim Kasolli

Si mund të pajtohen vuajtjet e një fëmije 5 vjeçar që vdes nga turbekolozi, apo në të një nëne 27 vjeçare, që kalon në amshim, nga gripi spanjoll me planet e Zotit, omnipotencën e tij dhe zbulesën e ungjillit etj etj.

Këto janë vetëm disa nga pyetjet dhe dilemat që e formësojnë debatin ndërmjet themeluesit të psikoanlizës Sigmund Freud, (Anthony Hopkins) pak para vdekjes, me profesorin e Universitetit të Oksfordit, CS Lweis (Matthew Goode). Ky debat, ndonëse ekzistojnë dyshime se nuk ka ndodhur fare, megjithatë e formon subjektin e filmit, “Freud’s Last Session”, me regji të Matthew Brown.

Ngjarja zhvillohet në Londër, pasi Freudi kishte emigruar nga Austria pas pushtimit të kësaj të fundit nga Gjermania Naziste në vitin 1936, dhe i cili gjendej pak para vdekjes, për shkak të sëmundjes së kancerit të gojës .

Natyrisht, pandehma të tilla mbi Perëndinë, nuk janë të reja në traditën e civilizimit perëndimor. Në këtë drejtim, vlen të përmenden edhe përsiatjet e filozofit antik Epikurit, i cili shkruante se “nëse Perëndia është i gjithëpushtetshëm, i gjithëdijshëm (ose gjithëdashamirës), përse ekziston e keqja?, duke vazhduar “ose Perëndia do që ta pengojë të keqen, por nuk mundet; ose mundet por nuk do; ose nuk mundet dhe as nuk do; ose edhe mundet edhe do”.

Mirëpo, në këtë rast, polemika të tilla ndodhin nën ndikimin dy ngjarjeve paradoksale, në njërën anë zhvillimit enorm të progresit shkencor dhe në anën tjetër, pak para invadimit të Polonisë në shtator të vitit 1939, e cila i hapi rrugë shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, si njëra nga ngjarjet më brutale në historinë e njerëzimit. Pra kurrë më shumë se në këtë rast, dialektika e progresit shkencor dhe regresit moral, nuk ishin puqur në këto përmasa ekstreme. Po ashtu, për Freud-in as kodet morale sikur “duaje tjetrin po aq sa veten” nuk ofrojnë rrugëzgjidhje në kësi situata brutale. Ai pohon se njerëzimit ia ofron vetëm një fjalë “rritjen” (grow up).

Ndërkaq, për CS Lweis, vuajtët e njeriut janë pasojë e gabimeve të tij. Zoti, sipas tij i dha Luciferit, vullnetin e lirë. Dhe është kjo liri që e bënë të mundur mirësinë. Sepse një botë pa aftësinë për të zgjedhur ndërmjet të mirës dhe të ligës, të bukurës dhe të shëmtuarës, të drejtës dhe të gabuarës, do të ishte një botë e makinave, asgjë më shumë. Pra është njeriu që i ka krijuar burgjet, skllavërinë, shtypjen, bombat dhe jo Zoti.

Mirëpo, përtej këtij sfondi historik, pjesa më e madhe e filmit është një ndërthurje e kujtimeve të fëmijërisë së dy protagonistëve kryesorë të këtij rrëfimi dhe arsyeve se pse ata janë peng të tyre. Siç dihet, Freudi, me anë të teorisë së tij në atë kohë kishte ofruar një “mjet” të ri “shkencor” në zbulimin e territoreve të panjohura të mendjes njerëzore. Dhe në këtë drejtim një rol të rëndësishëm luajnë edhe fantazitë, ëndrrat dhe imagjinata jonë. Dhe sipas Freud-it, megjithë përpjekjen tonë për t’u arratisur prej tyre, kjo është e pamundshme.

Madje edhe besimi në Zot mund të shihet nga prizmi psikoanalitik i “neurozës obsesive”. Simptomatikisht, kjo ndjenje ka burimin nga dashuria, adhurimi dhe kulti infantil për Babën, dëshirë, kjo e cila me maturimin e fëmijës transformohet në pranimin e ceneve të tij. Dhe kjo disonancë, tejkalohet nga dy shtytje, fillimisht nga “impulsi” i Atëvrasjes dhe kompensimi i këtij vakumi psikologjik, me figurën e Zotit. Pikëpamje kjo që mohohet kategorikisht nga CS Lweis.

Natyrisht, qëllimi i mësimeve të Freud-it ishte progresi i njerëzimit, siç thamë drejt maturimit. Sipas tij, për psikoanlizën, synim mbetet zbulimi dhe detektimi i represioneve të brendshme në shoqëritë moderne. Dhe, nuk ka dyshim se një pjesë së kësaj matrikse e formon seksualiteti, temë kjo që deri në atë kohë edhe ishte temë tabu. Madje sipas Freud-it, vet psikoanaliza është seksuale.

Ndërkohë, në këmbim e sipër të këtij dialogu, Freud-in e impresionon, pasioni i CS Lweis për nënën e shokut të tij të vrarë gjatë Luftës së Parë Botërore, kurse këtë të fundit, misteri i lidhjes së të parit më vajzën e tij Anna Freud. Kjo e fundit u dallua me teoritë e saj në fushën e psikoanalizës së fëmijëve. Madje sipas saj, fëmijët nuk frikësohen domosdoshmërisht nga lufta. Kështu, në vend se të ikin prej saj, ata mund lëvizin drejt “eksitimeve primitive”. Apo, rreziku real nuk është se ata mund të reagojnë në mënyrë të shokuar në kësi raste, por se dhuna e kësaj bote mund të puqet me dhunën brenda fëmijëve. Po ashtu, ndër punimet e saj më të njohura, ishte edhe punimi mbi “fantazitë sado-mazohiste”. Mirëpo, në sfond të kësaj përvoje zbulohet edhe prirjet e saj. Kënaqësitë që ajo ndjen gjatë terapisë me të atin e saj, terapi kjo e cila ndërprehet nga ky i fundit. Freud-i është kategorisht kundër që ajo të angazhohet përtej çdo raporti profesional. Kjo edhe është arsyeja që ai reagon me zemërim ndaj ofertës Ernst Jones, me argumentin se kanë dallim të madh në moshë. Por po ashtu, ai refuzon ta pranojë se ajo është në lidhje me një grua Dorothy Burlingham (Jodi Balfour).

Filmi përfundon me një lloj “paqe” teorike ndërmjet Freud-it dhe CS Lwis, me një libër që i pari ia dhuron të dytit, pak para ndarjes, me mbishkrimin, nga gabimi në gabim mund ta zbulojmë të vërtetën e plotë (from error to errror one discoveres the entire truth).
Në këtë kontekst, më shumë se kaq vështirë të thuhet diçka.

Është e vërtetë se edhe teoria Freud-it në kohën kur u zbulua vuante nga shumë gabime, por po ashtu nuk mund të mohet fakti, se themeluesi i psikanalizës me teoritë e tij mbi sjelljen njerëzore, e ka ndryshuar njëherë e përgjithmonë psikologjinë moderne dhe kulturën Perëndimore. /TvArberia

Powered by WordPress