Shkruan: Afrim Kasolli
Opozita ka kohë që po i kërkon zgjedhjet e parakohshme, me argumentin për ta dërguar sa më shpejt që të jetë e mundur në shtëpi pushtetin aktual, për shkak të dëmeve që ia ka shkaktuar Kosovës si në planin ndërkombëtar ashtu edhe brenda.
Mirëpo, ajo ka dallime sa i përket realizimit të këtij qëllimi të proklamuar. Deri sa Partia Demokratike e Kosovës konsideron se një gjë e tillë duhet të bëhet qoftë edhe me shpërbërje të Kuvendit, dy partitë tjera opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, insistojnë se e vetmja metodë e pranueshme për ta për zgjedhje, mbetet ose dorëheqja e kryeministrit Kurti, ose votimi i mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë aktuale.
Pa hyrë shumë në detaje, të dy palët kanë të drejtë në argumentet e tyre. Sepse nëse ky pushtet është aq i dëmshme për Kosovën sa pretendon opozita, atëherë nuk ka rëndësi mënyra e largimit të tij. Por, po ashtu nuk mund të mohet fakti se interes më i madh i Albin Kurtit mbetet ‘”vetë dorëheqja” e Kuvendit, se sa shkarkimi i Qeverisë apo dorëheqja e tij. Sepse në këtë mënyrë ai kalkulon që përgjegjësia për dështimet t’i mbetet deputeteve dhe jo atij. Dhe kështu, ta përdor këtë fakt si “argument” në fushatë, se ka qenë peng politik i Kuvendit, prandaj i duhet edhe një shumicë më e madhe parlamentare, se sa kjo që e ka pasur, në mënyrë që të kenë sukses reformat e premtuara.
Sidoqoftë, kjo përçarje e opozitës, apo pamundësi për të ndërtuar një konsensus në këtë temë, mund të jetë edhe pasojë e faktit se edhe ajo tash ndodhet e hendikepuar dhe nuk ka alternativë nda pushtetit aktual në raport me makro-proceset edhe sikur nesër ta fitonte pozitën.
Tashmë edhe ato janë të vetëdijshme, se draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të hartuar nga Bashkimi Evropian, si dhe Marrëveshja bazë e Brukselit dhe plani i zbatimit në Ohër, do të jenë në tavolinën e dialogut me Kosovën si kusht për çdo proces integrues. Pretendimet e Albin Kurtit për mos nënshkrimin e këtij dokumenti nag pala serbe, prandaj ajo nuk është valide, kanë mundur të kenë kuptim deri në çastin kur Bashkimi Evropian nuk e kishte ndryshuar kornizën negoicuese me Serbinë, duke e përfshirë te dy këto dokumente si pjesë e kapitullit 35 të dialogut me Brukselin. Pas këtij ndryshimi, këto interpretime nuk kanë asnjë peshë ndërkombëtare.
Mos anëtarësimi në Këshillin e Evropës, për shkak të mos procedimit të Asociacionit, tregon se tashmë ky entitet është shndërruar në “Demarkacionin 2” për shtetin e Kosovës. Mbase edhe mund të arsyetohen se ky imponim erdhi në kohën e Qeverisë Kurti, por po ashtu as ato nuk mund zhveshën nga përgjegjësia se pse nuk e hartuar gjatë kohës sa ishin në pushtet një statut të Asociacionit. Sepse kërkesa për ta finalizuar këtë dokument i është bërë Kosovës që nga viti 2013. Dhe pikërisht, neglizhimi ndër vite i këtij obligimi, si nga ata që ishin dikur në pushtet, ashtu edhe nga këta që janw, në fund e “detyroi” Brukselin, që ta ofrojë variantin e tij. Arsyetimi se nuk kanw mundur ta bëjnë një gjë të tillë për shkak të protestave dhe kundërshtimit të Albin Kurtit i bënë edhe më jo serioze. Sepse dëshmojnë se nga pozita e pushtetit i janë nënshtruar hegjemonisë ideologjike të opozitës së atëhershme. Dhe se janë paralizuar të veprojnë ngase ky i fundit i ka pushtuar konceptualisht nga brenda.
E disonanca të tilla vërehen edhe sot. Me qëllim që të duken ndryshe nga pushteti e kritikojnë atë për procesin dialogut me Serbinë, se si rezultatet e tij, paraqesin autonomi territoriale serbe. Por, kohë pas kohe nuk harrojnë të deklarojnë se kushdo që nesër është në pushtet e ka obligim t’i zbatojë këto marrëveshje. Në këtë kontekst, të detyruara për t’i pranuar si obligim shtetëror, sipas tyre “tradhtinë” e Albin Kurtit dhe pamundësisë për ta ndryshuar atë, edhe partive opozitare duket që nuk po iu konvenon pozita edhe sikur të kishin shansa ta fitonin atë./TvArbëria