Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Vazhdon saga politike e zgjedhjeve të parakohshme

Vazhdon saga politike e zgjedhjeve të parakohshme

As sot mbledhja e kryesisë së Kuvendit nuk solli asgjë konkrete sa i përket njërës prej temave më të përfolura ditëve të fundit, asaj të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Në këtë mënyrë, çuditërisht të gjitha partitë politike parlamentare po e shmangin atë për të cilën janë deklaruar se e duan më së shumti. Partia Demokratike e Kosovës nëpërmjet Kryetarit të Grupit Parlamentar, Abelrad Tahiri , përsëriti qëndrimin se për këtë subjekt datat ideale që qytetarët e Kosovës duhet t’u drejtohen kutive të votimit janë 30 qershori ose 7 korriku. Një gjë përafërsisht të njëjtë e kishte thënë edhe kryetari i këtij subjekti politik, pas një darke të përbashkët me Kryeministrin Kurti javën e kaluar

Ndërkaq, pushteti qëndron i palëkundur në pozicionin e tij, se ai është i gatshëm për këtë proces kurdo që partitë opozitare kanë konsensus për këtë temë.

Në anën tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, po ashtu, nëpërmjet Shefit të Grupit Parlamentar të kësaj partie, konfirmoi, se kjo parti është në mënyrë kategorike kundër që të shkohet në zgjedhje nëpërmjet këtij shpërndarjes së Kuvendit. Për Besnik Tahirin shkuarja në zgjedhje duhet të bëhet përmes dorëheqjes së Kryeministrit. Në këtë linjë pak a shumë është edhe partia tjetër opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës

Në këtë kontekst, nëse partitë politike qëndrojnë në këto istikame atëherë lirisht mund të themi se është e pamundur që te kemi zgjedhje të reja, jashtë afatit kushtetues dhe ligjor. Sepse siç dihet, sipas nenit 82 të Kushtetutës së Kosovës, përkatësisht paragrafit (2) çdo mocion për shpërndarjen e Kuvendit duhet të votohet nga dy të tretat (2/3) të gjithëve deputeteve. Dhe vetëm pasi këtij votimi shpërndarja bëhet me dekret të Presidentit të Republikës së Kosovës. Dhe ky prag vështirë se mund të arrihet pa një pajtim paraprak politik ndërmjet pushtetit dhe opozitës. Se shpërndarja e Kuvendnit nuk është e sigurt një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe Xhavit Haliti, deputet i PDK-së. Ai e ka akuzuar kryeministrin Kurti se pas takimit me Memli Kransniqin vetëm sa ka krijuar mjegullnajë.

Prandaj, ka gjasa që kjo teme të përdoret vetëm si mbulesë për një kohë me qëllim që të maskohet dështimi i Qeverisë sidomos pas mos anëtarësimit në Këshill të Evropës. /TV Arbëria

Powered by WordPress