Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Ta mbrosh Kosovën nga kryeministri Kurti nëpërmjet Albinit si kryetar i Vetëvendosjes

Ta mbrosh Kosovën nga kryeministri Kurti nëpërmjet Albinit si kryetar i Vetëvendosjes

Shkruan Afrim Kasolli

Shumë kush që i ka analizuar zhvillimet e fundit politike ka mbetur i habitur nga sjelljet kontradiktore të Kryeministrit Kurti. Jo shumë kohë më parë, ai i akuzonte në Kuvendin e Kosovës, deputetet e opozitës, pse nuk ishin mirënjohës sa i përket arritjeve të tij diplomatike në raport me dialogun me Serbinë dhe atë veçanërisht me draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të propozuar nga BE-ja, ku sipas të cilit “më në fund më anë të këtij dokumenti ndërpritej trashëgimia mosnjohëse të Serbisë mbi Kosovën dhe në anën tjetër ngurrimin e tij për ta dërguar të njëjtin në Gjykatën Kushtetuese, sipas kërkesës së shteteve të QUINT-it, si kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Këto veprime të çuditshme kanë ngritur dilema se mund të jenë të kushtëzuara nga fakti se kryeministri Kurti fillimisht e ka lavdëruar diçka që as nuk e ka lexuar, dhe se vetëm pasi është ndërgjegjësuar për gabimet e bëra, ka vendosur ta kundërshtojë atë, apo mund të jetë në pyetje edhe diçka tjetër?

Ndonëse nuk përjashtohet opsioni i parë, megjithatë qëndrime të tilla mund të jenë edhe pasojë strategjisë “dygjuhësore” politike të këtij pushteti për të krijuar sa më shumë konfuzion në opinionin publik në funksion të nevojave të brendshme elektorale. Pra pasi është pajtuar publikisht si në Bruksel ashtu edhe Ohër, si për Marrëveshjen bazike, ashtu edhe për planin e zbatimit, tashmë atij i duhet ta ushqejë me heroizëm të elektoratin e tij duke i rezistuar atyre që i ka pranuar. Thjesht duke e mbrojtur Kosovën nga kryeministri Kurti, nëpërmjet liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti

Dhe një qasje e tillë, tregon se pushteti aktual vazhdon ta konsiderojë e shtetin Kosovës vetëm si instrument dhe trampolinë për suksesin e elektoral të Lëvizjes Vetëvendosje.

Prandaj, në emër të tij, nuk e ka problem të pajtohet publikisht para diplomatëve perëndimore, por që me një lehtësi të padurueshme t’a minojë zbatimin e atyre që është pajtuar, dhe në këtë mënyrë ta rrezikojë edhe avancimin e agjendës euro-atlantike të shtetit vetëm për qëllime të brendshme elektorale. Pra që të ekspozojë shtetin si një palë të papërgjegjshme në marrdhëniet ndërkombëtare, vetëm që ta ruajë imazhin se nuk bënë kompromise, pavërisht faktit se marrëveshjet për të cilat është dakorduar tashmë janë obligim i shtetit të Kosovës.

Se kjo është kështu, në mënyrë simptomatike e dëshmojne edhe dy ngjarje tjera. Fillimisht tallja me politikën e jashtme shtetërore, nëpërmjet letrës banale dërguar Këshillit të Evropës një ditë para takimit të Këshillit Ministror. Dhe e dyta indiferenca e kryeministrit ndaj këtij dështimi, ku pak kohë pas mos pranimit të Kosovës, ai më një komoditet të jashtëzakonshëm gjenë kohë për t’i pritur në kolltukët e pushtetit përfaqësuesit e koalicionit humbës VLEN në kampin e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut, për t’i instruktuar se si duhet të sillen në situatën pas-zgjedhore në atë shtet. /TV Arbëria

Powered by WordPress