Shkruan: Afrim Kasolli
“Rrëzimi” apo “ulja e detyruar” e helikopterit me të cilin po udhëtonte presidenti i Iranit Ebrahim Raisi, ministri i Punëve të Jashtme, Hossein Amir-Abdollahian, afër qytetit të Tabriz-it në veri perëndim të këtij shteti, ka ngritur shumë pikëpyetje mbi zhvillimet në atë shtet dhe regjion. Ky incident ka ndodhur, po ashtu, një një ambient të trazuar gjeopolitik, në qendër të cilit pa dyshim se ka qenë edhe Republika Islamike e Tehranit.
Shumë proxy grupe luftarake sikur se Hezbollahu në Liban, milicitë e armatosura në Irak dhe Siri, Hamasi në Gaza dhe grupi rebel Huthi në Jemen janë vetëm disa nga instrumentet e këtij shteti me qëllim shtrirjen influencës së tij në Lindje të Mesme.
Po ashtu, jo shumë kohë më parë, për herë të parë ky shtet e sulmoi drejtëpërdrejtë Izraelin me më shumë se 300 raketa, edhe pse asnjëra nga ato nuk e arritën cakun. Ky sulm erdhi si reagim ndaj bombardimit të misionkt dimlomatik iranian në Damask nga Izraeli, ku mbetën të vrarë disa zyrtarë të lartë të ushtrisë iraniane. Ndërkohë, pa kaluar shumë kohë, një sulm tjetër “anonim” kishte ndodhur afër qytetit Isfahan në Iran, qytet ky ku edhe ndodhen nga impiantet kryesore të programit bërthamor të këtij shtetit. Dhe ku thuhet se janë të angazhuar deri në 3000 shkencëtarë në funksion të këtij projekti.
Sidoqoftë, çka do që mund të ndodhë me fatin e presidentit, në planin kushtetues është e qartë se si mund të bëhet transferimi i pushtetit në këtë shtet. Me automatizëm drejtimin e vendit e merr zv presidenti, Mohammad Mokhber. Mirëpo, sipas shumë analistëve ndërkombëtare mbi Lindjen e Mesme, vdekja e eventuale e kryetarit të Iranit do të shkaktonte një vakum të madh politik. Madje, 69 vjeçari nga shumë kush është perceptuar si zëvëndësuesi me i mundshëm i Ayatollah Khamenei, liderit suprem të Republikës Islamike. Ndërkaq një rol jo më pak të rëndësishëm në politikën e këtij shteti e gëzonte edhe bashekudhëtari i tij kryesor në këtë fluturim që mund të jetë fatal, ministri i Punëve të Jashtme, Hossein Amir-Abdollahian
Gjatë kësaj kohe, sidomos që nga shpërthimi i luftës në rripin e Gazës, ai ishte figura qendrore e komunikimeve diplomatike. Në të kaluarën sa kishte shërbyer në pozita të ndryshme në ministrinë e jashtme të këtij shtetit ai ishte i njohur për lidhjet e tij të ngushta me Gardën Revolucionare dhe veçanërisht me njërin nga ish drejtuesit e saj kryesor, i cili u vra në Irak, nga një sulm amerikan, Qasem Soleimani. Po ashtu, top diplomati i njohur iranian ka qenë njëri nga avokuesit me të njohur të asaj që njihet si “Aksi i rezistencës”.
Sipas mediave ndërkombëtare, ende nuk ka të dhëna për probleme teknike që mund të ketë pasur helikopteri me të cilin po udhëtonin dy nga zyrtarët më të lartë të këtij shteti. Kurse dy helikopterë të tjerë, që po ashtu ishin pjesë e këtij ekuipazhi, janë kthyer sigurt në qytetin e Tabrizit. Shumë nga helikopterët që janë përdorur nga aparati shtetëror iranian, sipas Al Jazeera, datojnë që prej vitit 1979, pra para se të triumfonte revolucioni islamik dhe i takonin regjimit të Shahut. /TV Arbëria