Haxhiu për arratisjen e Enver Sekiraqës: Ky rast ngre dyshime për përfshirje të gjyqësorit në korrupsion
Pas arratisjes së Enver Sekiraqës ka reaguar Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo ka thënë duke thënë se dikush që është i njohur edhe për publikun se lëre më për gjyqësinë e prokurorinë për krime të rënda e përsëritje të tyre lihet herë në arrest shtëpiak e pastaj në liri, deri në një aktvendim tjetër, kësisoj arratiset tërësisht.
“Kjo qasje joprofesionale e gjyqtarëve në shumë raste po rezulton me trashje të krimit. Herë po manifestohet me vrasje e herë me arratisje të tërësishme. Dhe ky nuk është gabim i izoluar, por veprime të shpeshta që po shndërrohen me mendësi të gjykimit e të cilat po përkthehen në stimulim të kriminelëve”, ka shkruar Haxhiu në një postim në Facebook.
“Duket që sistemin ynë gjyqësor për shkak të përvojës së mbrapshtë në mungesë të dënimit të peshqve të mëdhenj po vazhdon të mos këndellet nga gjendja e vet duke toleruar kështu arratisje e përsëritje të veprave kriminale”.
“Sistemi gjyqësor ekziston pikërisht për t’i dhënë qytetarëve drejtësi e siguri, jo frikë dhe panik. Ata duhet të jenë në anën e ligjit, të të dëmtuarve dhe mbi të gjitha të interesit publik, jo në anën krimit, të fortëve e klaneve mafioze”.