Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Bouyjou nga UNMIK-u: Shpresoj që saga për Kodin Civil të përfundojë

Bouyjou nga UNMIK-u: Shpresoj që saga për Kodin Civil të përfundojë

Jerome Bouyjou, shef i Zyrës për të Drejtat e Njeriut në UNMIK dhe përfaqësues i Komisionarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, tha se shpreson që Kodi Civil të procesohet së shpejti.

E kjo sipas tij jo vetëm për dispozitën e martesave mes seksit të njëjtë për të cilin tha se ka ardhur koha, por për shkak të shumë ndryshimeve që parashikohen me Kod Civil, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Ka mjaft nene që kanë ndikim në të drejtat e njeriu dhe të individëve”, tha ai.

Bouyjou shtoi se pjesëmarrja e institucioneve në këtë tryezë diskutimi, ku edhe u publikua Raporti i Shoqërisë Civile për të Drejtat e Njeriut në Kosovë për vitin 2023, tregon rëndësinë dhe angazhimin si të shoqërisë civile ashtu edhe të institucioneve në ushtrimin e demokracisë.

Çështja e dytë të cilën ai e përmendi ishte edhe ajo e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.

“Ju e dini se Qeveria ka bërë hapa të rëndësishëm për të reflektuar standardet ndërkombëtare për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në legjislacion. Tani kemi edhe Gjykatën Kushtetuese që ka dhënë dritën jeshile për të pasqyruar Konventën e OKB-së për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar”, tha ai.

Ai shtoi se për arsye politike kjo ka ngecur në Kuvend, në mungesë të kuorumit, por bëri thirrje për të gjithë deputetët që ta votojnë.

Duke folur për Raportin e shoqërisë civile, ai përgëzoi të gjitha OJQ-të, duke thënë se nuk është e lehtë të mblidhen të gjitha këto të dhëna dhe se ato po e bëjnë në mënyrë profesionale dhe me përkushtim për të avokuar në të drejtat e njeriut.