Në komunat në veri të republikës së Kosovës është kthyer qetësia dhe deri diku edhe ligjshmëria, e megjithatë strukturat paralele që financohen nga Beogradi përbëjnë rrezik të madh. Këtë e thonë qytetarët në veri, por dhe drejtues të pushtetit lokal, nga komuniteti serb.
Nënkryetarja e Komunës së Leposaviqit, Marina Bogojeviq, me ana të një përgjigje me shkrim për A2 CNN, thotë “se ndërhyrjet e strukturave paralele deri tani kanë shkaktuar konfuzion të madh te qytetarët dhe se përmes tyre Beogradi i ka ndarë njerëzit në super të pasur dhe ata në varfëri ekstreme.
Kryetari i komisionit të ligjeve i Kuvendit të Kosovës nga VV-ja, Adnan Rrustemi, lidhur me defunksionalizimin e strukturave paralele në veri, ka deklaruar për A2 CNN, se përpjekjet e Serbisë për t’i kontrolluar ato me anë të presionit dhe shantazhit, është pengesa kryesore për integrimin e serbëve.
Kurse nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri, thotë se strukturat vijojnë të jenë aktive, dhe se Serbia po ndërhyn qëllimisht për të destabilizuar veriun.
Sa i përket rrezikut në aspektin e sigurisë eksperti i sigurisë Nuredin Ibishi thekson se duhet të ndalohen financimet ilegale për strukturat paralele dhe qeveria të marrë masa për të mbështetur qytetarët atje.
Sakaq, banorët e komunitetit serb në veri, thonë se ajo që ju duhet është punësim siguri e jetë më e mirë në hapësirat në të cilat jetojnë.