Pas zëvendësministrit Hysen Durmishi, Prokuroria Speciale ka ftuar për intervistim edhe ish-Shefin e Prokurorimit në Ministrinë e Infrastrukturës, Nexhat Krasniqin, apo siç njihet “Baba i tenderëve”.
T7 ka publikuar pamjet e Krasniqit, duke hyrë në objektin e Prokurorisë Speciale. Edhe Krasniqi do të intervistohet lidhur me tenderin e rrugës Prishtinë-Podujevë.
Inervistimi i tij vjen një javë pas atij të Hysen Durmishit, i cili javën e kaluar u intervistua si i dyshuar, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Nexhat Krasniqi u përfshi në listën e zezë të SHBA-së më nëntor 2023. Ai ishte drejtor i Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës deri atë ditë. Në MMPHI, po të njëjtën ditë u pezullua, porse u rikthye në punë disa ditë më vonë.
Organi Shqyrtues i Prokurorimit në dhjetor të viti të kaluar kishte kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës që Krasniqit t’ia revokojë certifikatën Zyrtarit Përgjegjës të Prokurorimit në MMPHI.
Kjo pasi sipas vendimit OSHP’së që kishte siguruar gazeta online Reporteri.net, janë konstatuar parregullsi dhe shkelje të mëdha në dhënien e tenderit për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Besi-Podujevë.
Nga detyra e drejtorit të Divizionit të Prokurimit, atij iu ndërrua pozita në drejtor të Departamentit të Infrastrukturës Rrugore, që ishte më e lartë sesa pozita paraprake.
Tek më 21 nëntor 2023, Komisioni Disiplinor e përjashtoi atë nga shërbimi civil, si masë disiplinore.