Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se janë nënshkruar kontratat për subvencionim për strehimoret dhe organizatat që ofrojnë shërbime sociale dhe familjare.
Me këtë rast, ministrja Haxhiu ka falenderuar përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të strehimoreve për angazhimin dhe kontributin e dhënë në ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare për njerëz me nevoja sociale.
Haxhiu ka thënë se ky është viti i dytë që si Ministri e Drejtësisë po hapin thirrjen për subvencionim të shërbimeve sociale dhe familjare në vlerë prej 1.5 milion euro, ku prej tyre në thirrjen e parë tashmë kanë përfituar 39 projekte të organizatave të licencuara që ofrojnë këto shërbime.
“Natyrisht nuk them që ky fond është i mjaftueshëm dhe mbase edhe nuk i plotëson të gjitha nevojat e shërbimeve por është i pamohueshëm fakti që vitet 2023 dhe 2024 janë vitet që kanë shënuar progresin më të madh buxhetor nga niveli qendror, në fushën e shërbimeve sociale dhe familjare. Dhe për këtë ndjehem jashtëzakonisht mirë si Ministre e Drejtësisë”, tha Haxhiu.
Haxhiu kërkoi angazhim më të madh nga niveli komunal meqë, sipas saj, janë përgjegjës ligjorë në ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare për çka u bëri thirrje t’i lënë anash nuancat e politikës partiake dhe të bashkohen në avokim që shërbimet sociale të zënë vend në politikat e tyre buxhetore.