Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Si e pranoi Albin Kurti atë që e konsideronte si zgjidhja më e keqe për Kosovën?

Si e pranoi Albin Kurti atë që e konsideronte si zgjidhja më e keqe për Kosovën?

Shkruan: Afrim Kasolli

Ka ditë që zyrtarë të këtij pushteti, njëri pas tjetrit, kanë filluar ta pranojnë skandalin dhe dëmin që i kanë shkaktuar Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Pas pajtimit publik mbi Marrëveshjen bazike të Brukselit, planin zbatimit të arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut si dhe pranimit të draft-statutit të Asociacionit të komunave më shumicë serbe, duke filluar nga kryeministri Kurti, e deri tek zyrtari më i vogël i kësaj mazhorance, mbronin idenë se këto marrëveshje paraqesin “fundin e historisë” për Kosovën. Asgjë nuk ishte çlirimi, shpallja e pavarësisë dhe njohja, nga sa e sa shtete anë e kënd botës, si dhe anëtarësimi në shumë organizata ndërkombëtare, përballë faktit se më në fund na njohu de facto Serbia.

Mirëpo, sa më shumë po kalon kohë dhe po shtohet presioni që ky pushtet t’i zbatojë arritjet e veta, aq më tepër po zbehet entuziazmi dhe po davaritet retorika e që i glorifikonte këto suksese diplomatike. Sepse tash fillon ballafaqimi me pasojat e veprimeve të veta.

Kështu, ditë më parë Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në një prononcim për Euronews Albanian, pat deklaruar se “Marrëveshja e arritur në Bruksel në mes të Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes dy shteteve ishte një hap mbrapa për Kosovën” .

Po ashtu, në një intervistë tjetër për mediat në Shqipëri, ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla, ka deklaruar se “draft statuti i Asociacionit i ngjan Republika Srpskës në Bosnje, por që jemi të gatshëm ta zbatojmë atë nëse Serbia e pranon pakon”.

Kjo shfaqje pendestare e pushtetit tregon qartë se tashmë ky mbartësit e tij janë koshient për dëmet e shkaktuara. Mirëpo, edhe po t’i marrim si të mirëqena konstatimet se Asociacioni ka kuptim vetëm brenda pakos, përsëri edhe ky solucion e tregon se Albin Kurti e ka pranuar atë që gjithmonë e ka definuar si zgjidhjen me të keqe për Kosovën

Ai në vazhdimësi ka deklaruar se nuk na duhet një marrëveshje me Serbinë, më anë të cilës ky shtet e njeh Kosovën, por vetëm pasi ne ta njohim Serbinë brenda. Si shembull ilustrativ pwr kwtw opsion gjithmonë e kishte Bosnjen, ku Serbia e njohu këtë shtet vetëm pasi Bosnja e pranoi Republika Serpsken.

Ndërkohë, nëse Kosova pajtohet ta zbatojë Asociacionin (që sipas ministres Gërvalla i ngjason R.Srpeskes), pasi Serbia ta zbatojë plotësisht Marrëveshjen Bazike të Brukselit, përsëri ekziston për të keq një dallim i madh me Bosnjën, sepse për dallim nga Bosnja, Kosova pajtohet ta zbatojë Republikën Serpske, por pa e marrë në këmbim njohjen formale si shtet nga Serbia. Kështu, si Marrëveshja e Brukselit ashtu edhe ajo e Ohrit, nuk ofrojnë kurrfarë njohje ndërkombëtare për shtetin e Kosovës. Përkundrazi, ato vetëm e kanë shtruar rrugën e pranimit ndërkombëtar të Asociacionit./tvarbëria/

Powered by WordPress