Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Asgjë e re nga “darka e gabuar”

Asgjë e re nga “darka e gabuar”

Dita e djeshme nuk solli asgjë të re sa i përket qëndrimit të opozitës në raport me pushtetin. Që kur kryeministri Kurti kishte deklaruar se është i gatshëm t’i ndihmojë opozitës për zgjedhje të reja, nëse ajo është e interesuar , këtë të fundit e kanë karakterizuar tri qëndrime të ndryshme.

PDK-ja është e shprehur e gatshme për shpërbërje të Kuvendit, mirëpo deri më tani nuk ka ndërmarr asnjë veprim sa i përket proceduarave në funksion të këtij qëllimi. Kështu në vend të ndonjë nisme parlamentare, ajo ka vendosur që fillimisht ta shijojë në darkë me të parin e Qeverisë së Kosovës. Kurse Aleanca Për Ardhmërinë e Kosovës ngulmon se rruga më duhur për zgjedhje të reja mbetet votimi i mocionit të mosbesimit për Qeverinë Kurti, por pa qenë e qartë se si do të arrihet ky cak.

Ndërkohë, LDK deri më tani ka insistuar se ky pushtet duhet të shkojë sa më shpejt në shtëpi, por po ashtu i ka bllokuar nismat për të përshpejtuar rënien e tij, sikur se mos dërgimi në Gjykatën Kushtetuese për mosveprim nga ana e presidentes në rastin e emërimit të Kryeprokurorit të shtetit.

Po ashtu, këtu duhet kujtuar se për zgjedhje të reja disa herë ishte shprehur edhe pushteti. Jo shumë kohë më parë kryeparlamentari, Glauk Konfjufca, i cili vjen nga partia në pushtet, kishte deklaruar se sa më shpejt dhe me herët që shkohet në zgjedhje, aq më mirë për këtë Qeveri.

Në këtë kontekst, ajo që u bë e ditur për publikun (përpos nëse ka tema tjera që janë diskutuar, por që nuk shpalosen para qytetarëve) nga përfaqësuesit e PDK si dhe të pushtetit nuk qe asgjë e re nga dëshirat e mëhershme të artikuluara nga të dy kampet. Kryetari i PDK-së tregoi për gjendjen e ekonomike në vend, dhe me formulime konfuze u shpreh “se kemi situate të rënduar sa i përket anëtarësimit në KiE. Tani me siguri do të dështojmë. Ia shpreha Kurtit që konsideroj që duhet ta përshpejtojmë punën për t’ju dhënë zgjidhje këtyre temave” Kurse, Albin Kurti se cila stinë është më e përshtatshme për zgjedhje.

Mirëpo, asnjë qëndrim i qartë për kushtëzimin e Kosovës për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si hap paraprak për anëtarësim në Këshill të Evropës. Pushteti një kriter të tillë të vendeve të QUINT-it ka qujatur një lloj shantazhi. Ndërkohë, opozita është mjaftuar me strukje sa i përket kësaj teme.

Është e vërtetë se tejkalimi i këtij ngërçi është obligim ekskluziv i këtij pushteti. Por mjerisht mos finalizimi i këtij procesi është dështim diplomatik i shtetit të Kosovës./tvarberia/

Powered by WordPress