Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > LDK e AAK refuzojnë ftesën e Kurtit ndërsa PDK e sheh si mundësi për të diskutuar rreth zgjedhjeve të reja

LDK e AAK refuzojnë ftesën e Kurtit ndërsa PDK e sheh si mundësi për të diskutuar rreth zgjedhjeve të reja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka ftuar në darkë pune partitë opozitare (PDK, LDK, AAK), raporton TV Arbëria.

Deri tani të tri partitë opozitare i janë përgjigjur ftesës së kryeministrit.

Kryetari nga LDK-ja, Lumir Abdixhiku ka refuzuar ftesën e Kurtit për darkë pune, me arsyetimin se kjo ftesë është e vonuar.

“Në përgjigje të letrës tuaj, e konsideroj të vonuar tani që, pas tre vitesh e gjysmë në pushtet, të tentoni të gjeni një klimë bashkëpunimi kur keni shuar rrënjësisht frymën e bashkëpunimit e kur keni mbjellë polarizim ofendues të skajshëm ndaj të gjitha partive politike tjera në Kosovë dhe përfaqësuesve të tyre”, shkruhet në përgjigjen e Lumir Abdixhiukut nga LDK-ja.

Por ani pse Abdixhiku refuzoi ftesën nga kryeministri Kurti, ai tha se Ldk-ja do të vazhdojë të votojë marrëveshjet ndërkombëtare.

“Ndërsa, për votimet e marrëveshjeve ndërkombëtare, Lidhja Demokratike e Kosovës i konsideron ato mbi politikat ditore prandaj do vazhdojë t’i votojë siç dhe ka vepruar deri më tani”, shkruan Lumir Abdixhiku.

Ftesën e Kurtit e ka refuzuar dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ku ky i fundit përgjegjësinë e takimit ia bartë shefit të grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahirit.

“Sa i përket temës së kësaj darke, kjo besoj bie në përgjegjësinë e shefave të grupeve parlamentar”, shkruan Haradinaj në përgjigjen e tij.

Edhe pse Haradinaj refuzoi ftesën e Kurtit, ai u shprehur i gatshëm që të diskutojë për tema me interes nacional.

“Ndërsa, nëse ka ndonjë temë tjetër që lidhet me momentumin politik, atëherë, këtë çështje mund ta trajtojmë në një kohë tjetër, në një mënyrë tjetër që të përafrojmë qëndrimet që janë me interesa nacional”, ka thënë Haradinaj.

Memli Krasniqi nga PDK-ja është lideri i vetmi nga të tri partitë opozitare, që do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga kryeministri Kurti.

”Partia Demokratike e Kosovës ka pranuar ftesën e Kryeministrit Albin Kurti për një takim pune, për të hënën dhe mund ta konfirmoj që Kryetari Memli Krasniqi do të marrë pjesë në këtë takim”, thuhet në përgjigjen e PDK-së ndaj ftesës së Kurtit.

PDK këtë takim e sheh si mundësi për tu diskutuar për caktimin e datës për zgjedhje të reja.

“Qëndrimi ynë si PDK është i qartë dhe konsistent – Kosova është në krizë në çdo fushë dhe rrugëdalje e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen sa më parë. Prandaj edhe pjesëmarrja e Kryetarit Krasniqi në këtë takim do të jenë në funksion të diskutimit për mundësinë e caktimit të datës për zgjedhje të reja”, shkruhet në përgjigjen e PDK-së.

Takimi me partitë opozitare nga kryeministri Kurti është thirrur për të hënën, me 13 maj. /TV Arbëria

Powered by WordPress