Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Zgjedhjet që mund ta thellojnë krizën

Zgjedhjet që mund ta thellojnë krizën

Shkruan: Afrim Kasolli

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut vendosën dje si për presidentin ashtu edhe për parlamentin e ri. Këtë garë në të dy nivelet e pushtetit, ashtu siç pritej nga kampi maqedonas e fitoi partia opozitare VMRO-DPMNE. Kurse fituese e zgjedhjeve në taborin shqiptar pa mëdyshje se doli koalicioni i “Frontit Evropian” i drejtuar nga politikani veteran Ali Ahmeti.

Sipas rezultateve të deri tanishme të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, kandidatja për presidente, Gordana Silanovska Davkova, ka fituar mbi 65 për qind të votave, kundrejt presidentit të deritanishëm, Stevo Pendarovski, i cili mori rreth 30 për qind të votave. Ndërkaq VMRO DPMNE-ja, ka fituar me mbi 43 për qind të votave, apo 59 mandate nga 120 sa i ka Parlamenti i këtij shteti. Fronti Evropian do t’i ketë gjithsej 18 ulëse në Kuvend, kurse koalicioni opozitar shqiptar VLEN do t’i 13 mandate.

Sidoqoftë, ky rezultat zgjedhor ndonëse e ka qartësuar disponimin e brendshëm elektoral dhe politik, në të vërtet ai e ka bërë më të paqartë të ardhmen e vendit. Aktualisht fituese të kësaj beteje në dy grupet më të mëdha etnike, janë dy parti me orientime të ndryshme strategjike shtetërore. VMRO-DMPNE ka premtuar se nuk do ta përfill kërkesën e Bullgarisë për ndryshime kushtetuese me qëllim përfshirjen e minoritetit bullgar si pjesë e saj, një parakusht ky, për zhbllokimin e proceseve integruese evropiane. Kështu, kohë pas kohe, lideri i saj, Hristijan Mickoski, ka shkuar deri atje sa do ta zhfveltësojë edhe Marrëveshjen e Prespës së vitit 2018, për ndryshimin e emrit të shtetit me Greqinë, e cila i kishte hapur rrugë anëtarësimit të këtij vendi në NATO.

Ndërkohë, kandidatja për presidente me një gjuhë gati raciste, për t’i përndezur sa më shumë sentimentet hakmarrëse maqedonase kundër shqiptarëve, kishte propozuar themelimin e një Gjykate Speciale për luftën e vitit 2001. Madje, sipas shumë hulumtimeve një nga arsyet se kjo parti e ka shënuar këtë rezultat të jashtëzakonshëm, ishin edhe akuzat ndaj LSDM-së, ka bërë shumë lëshime ndaj shqiptarëve gjatë bashkëqeverisjes katër vjeçare.

Rrjedhimisht, nëse VMRO-DPMNE i mban këto qëndrime edhe pas formimit të ekzekutivit ajo e përfaqëson të kundërtën e interesave shqiptare, si në atë shtet ashtu edhe Ballkan në përgjithësi. Nuk është e rastësishme se pse paralelisht me forcimin e saj elektoral është shtuar edhe ndjeshmëria pro Serbisë në atë shtet. Prandaj, çdo koalicion qeveritar me këtë parti, pa u zotuar ajo se të gjitha premtimet e deri tanishme do t’i gjuajë në koshin e mbeturinave elektorale, e dëmton interesin shqiptar. Shto edhe këtu faktin se edhe integrimi i Shqipërisë në kudër të BE-së, sot është i lidhur me atë Maqedonisë së Veriut.

Në këtë kontekst, ky shtet sot ndodhet para disa paradokseve të çuditshme. Në njërën ku shqiptarët janë përcaktuar për ta ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe maqedonasit për ta bllokuar këtë perspektiv. Këto dy botëra të ndryshme mund të shndërrohen në katalizator të një krize gjithnjë e më të madhe. Dhe ky zhvillim po ndodh në një ambient të trazuar gjeopolitik si global ashtu edhe rajonal. /TV Arbëria

Powered by WordPress