Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Loja elektorale Kurtit me politikën e jashtme të shtetit

Loja elektorale Kurtit me politikën e jashtme të shtetit

Shkruan: Afrim Kasolli

Gjatë ditës së sotme kryeministri Kurti e bëri të qartë se anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës nuk është i mundur pa fillimin e procedurave për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Këtë kërkesë të vendeve të QUINT-it, në një farë mënyre e quajti si shantazh që po i bëhet Kosovës. Prandaj, edhe deklaroi se nuk mund ta pranojë një presion të tillë. Ky arsyetim është i ngjashëm me qëndrimin që Qeveria e Kosovës e kishte shprehur nëpërmjet një komunikate për media, pas takimit me 6 maj me përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë. Në atë komunikatë thuhej, se “normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në Bruksel dhe jo në Strasburg; se procesi i anëtarësimit në Këshill të Evropës është çështje e respektimi të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, vlera këto që Republika e Kosovës i përqafon. Këto dy procese nuk duhet të përzihen pasi nuk e ndihmojnë njëra-tjetrën. Në rast se këto përzihen, kjo do t’i bënte dëm të pariparueshëm në njërën anë dialogut në Bruksel dhe në anën tjetër Këshillit të Evropës si institucion i ruajtjes dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut”.

Sidoqoftë, pretendimet e Kurtit se këto dy procese nuk kanë lidhje njëra tjetrën janë të paqëndrueshme dhe për më shumë paraqesin një manipulim me opinionin publik. Që nga fillimi ka qenë e ditur se (mos)anëtarësimi i Kosovës në KiE, krahas plotësimit të kritereve ligjore, ka qenë i lidhur edhe me progresin e Kosovës në zbatimin e Marrëveshjes bazike të Brukselit dhe planin e sekunencimit të dakorduar publikisht në Ohër ndërmjet dy vendeve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Kur, Komiteti Ministror kishte votuar pro aplikimit të Kosovës në Këshill të Evropës, me 24 prill të vitit 2023, në komunikatën  zyrtare të këtij institucioni ishte thënë qartë, se ky “trup e mori këtë vendim, duke pasur parasysh edhe parasysh edhe marrëveshjen e Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe marrëveshjen e Ohrit të 18 marsit 2023, të arritura në dialogun Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe rëndësinë që të gjitha palët t’i zbatojnë ato në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim”

Por atëbotë, si dhe deri më tani, ky fakt ishte mbajtur i heshtur. E tëra kjo më qëllim që të krijohet përshtypja se kjo është qeveria e vetme e cila pa kompromise me Serbinë ia del që të anëtarësojë shtetin në organizata ndërkombëtare.

Ndërkohë, votimi i raportit të raportueses për Kosovën, Dora Bokojanis, në Asamblenë Parlamentare që rekomandonte anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë u përdor si trofe diplomatik nga eksponatet e këtij pushtetit. Gjatë gjithë kohës nuk është se ata që nuk e dinin për sfidën kryesore, por mëtonin ta “shmangnin elefantin në dhomë”.  Dhe kur kjo pengesë u bë e pa tejkalueshme, tashmë kryeministrit Kurti nuk i mbeti tjetër, pos t’i akuzojë vendet aleate se janë bërë pengesë për këtë pranim, dhe se në këtë mënyrë ato tashmë i kanë braktisur idealet demokratike.

Kështu shihet qartë, se i pari i Qeverisë së Kosovës, ka vendosur që ta shndërroje edhe këtë temë në agjendë të brendshme elektorale, duke ekspozuar vetën lider që nuk bënë kompromise me demokracinë, se nuk pranon shantazhe dhe se nuk është fajtor që diplomatet e këtyre shteteve e kanë braktisur demokracinë. Prandaj, si një vetmitar do të shndërrohet në mbrojtësin heroik të saj si në Kosovë ashtu edhe ne Evropë.  E tërë kjo dramë, nuk paraqet asgjë tjetër, pos një transformim të politikës së jashtme të shtetit në  një lojë të brendshme elektorale për përfitime momentale. /TvArbëria/

 

Powered by WordPress