Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Nga e moçmja në modernitet- Si u transformuan dasmat shqiptare në kaq kohë?

Nga e moçmja në modernitet- Si u transformuan dasmat shqiptare në kaq kohë?

Shkruan: Emine Krasniqi

Në të kuptuarit e dallimeve midis dasmave të kohëve të ndryshme në trojet shqiptare, është e rëndësishme të shqyrtohet konteksti historik, kulturor dhe shoqëror në të cilin ato zhvillohen. Dasmat janë ngjarje kulturore të ndërlikuara që reflektojnë vlerat, normat dhe traditat e një shoqërie. Në Shqipëri dhe trojet shqiptare, këto ndryshime janë të dukshme duke filluar që nga organizimi i vetë dasmës, ritet, veshja, ushqimi, e deri te roli i teknologjisë dhe globalizimit.

Në kohërat e mëparshme, dasmat në trojet shqiptare kishin një karakter tradicional dhe një rëndësi të jashtëzakonshme në jetën shoqërore. Këto evente shërbenin si një mënyrë për të bashkuar familjet, për të forcuar lidhjet e bashkëshortëve dhe për të shpërndarë vlera kulturore nga një brez në tjetrin.

Organizimi i dasmës në këtë periudhë kishte një strukturë të qartë shoqërore dhe rituale të rëndësishme si martesa, ceremonia fetare, rituali i ndarjes së dhuratave dhe disa procedura që më pas varionin nga vendi se ku organizoheshin, meqë jo të gjitha viset ndjeknin ritualet e njëjta. Dasmat tradicionale shqiptare shquheshin për rregullat e tyre të caktuara, si përshembull, rregullat për veshjen, ushqimin tradicional të servuar, muzikën dhe këngët që shoqëronin këto ngjarje.

Megjithatë, me kalimin e kohës dhe ndikimin e modernizimit, dasmat në trojet shqiptare kanë ndryshuar në shumë aspekte. Globalizimi ka sjellë një ndikim të madh në praktikat martesore duke sjellë një përzgjedhje të gjerë të trendeve të huaja. Kjo ka ndikuar në mënyrën se si organizohen dhe zhvillohen dasmat, duke u larguar në disa raste nga traditat e vjetra dhe duke përfshirë elemente të reja si muzika moderne, stili i veshjes, organizimi i dasmave në ambiente të ndryshme nga sallat tradicionale dasmash.

Shtojmë faktin se ka ndryshuar poashtu edhe roli I të ftuarve, tashmë ka të tilla që nuk kanë më shumë se 20 të ftuar të njëjtit vetëm antarë të familjes së ngushtë.

Një tjetër ndryshim ka të bëjë me rolin e teknologjisë. Sot, shpeshherë dasmat transmetohen nëpërmjet mediave sociale, duke ndikuar në mënyrën sesi ato planifikohen dhe shfaqen.

Nëse krahasohen me dasmat e mëparshme, ato sot janë më të ndryshme dhe të diversifikuara, duke reflektuar ndryshimet e theksuara shoqërore, ekonomike dhe kulturore në trojet shqiptare. Megjithatë, disa elemente të trashëgimisë kulturore mbeten të pranishme, edhe pse në forma të modifikuara, duke u përshtatur me realitetin e kohës së sotme.

 

Powered by WordPress