Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kryeziu në manifestimin për Skënderbeun: Mirupafshim në çdo ditëlindje të Atit tonë shpirtëror, sepse ky aktivitet do të jetë tash e tutje tradicional

Kryeziu në manifestimin për Skënderbeun: Mirupafshim në çdo ditëlindje të Atit tonë shpirtëror, sepse ky aktivitet do të jetë tash e tutje tradicional

Kryeorganizatori nga Korporata Kryeziu, Qëndrim Kryeziu në fjalimin e tij në manifestimin e 619-vjetorit të heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, tha se kjo datë për shqiptarët është e shenjtë, raporton TV Arbëria.

Kryeziu tha se pa veprimtarinë dhe luftën e Skënderbeut, kombi shqiptar do të ishte i përhumbur.

“6 maji, që shënon edhe ditëlindjen e Skënderbeut, është një datë e shenjtë për shqiptarët kudo që janë ata në të katër anët e planetit. Sepse vetëm duke e respektuar, përkujtuar dhe nderuar këtë ditë, ne qëndrojmë të bashkuar. Nuk ka forcë dhe ideal që i jep jetë dhe e mban gjallë më shumë këtë bashkim, se sa trashëgimia e Atit tonë themeltar dhe princit arbëror, Gjergj-Kastrioti- Skënderbeu. Pa jetën, veprimtarinë dhe luftën e tij për liri, kombi ynë do të ishte i përhumbur, i harruar dhe pa të ardhme. Nuk është e rastësishme, që Rilindja Kombëtare e lartësoi atë në panteonin e vlerave historike, sepse vetëm nga rilindja e tij mund ta ringjallet një popull”, tha Kryeziu gjatë fjalimit të tij.

Ai tutje tha se Skënderbeu mbetet simbol i bashkimit, rezistencës, dhe luftës për liri.

“Kodi kastriotan mbetet simbol i bashkimit, rezistencës, dhe luftës për liri. Lufta e lavdishme që e drejtoi, motivet që shtynë të braktis ushtrinë osmane, e cila e kishte kidnapuar që në fëmijë dhe i ofronte karrierë të pasur, dëshmon për madhështinë e lavdishme të veprës së tij. Sepse për Skënderbeun shpëtimi i Shqipërisë ishte misioni më i madh fisnik jetësor. Synim edhe të cilin e bëri realitet duke luftuar kundër Perandorisë Osmane. Ai na mësoi se jo pakti me pushtuesin dhe nënshtrimi, por rezistenca ndaj tij duhet të jenë motivet fisnike të çdo shqiptari”, tha Kryeziu.

Krejt në fund kryeorganizatori Kryeziu, i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe bëri të ditur se ky manifestim do vazhdojë të mbahet gjdo vit.

“Kështu, në fund me lejoni t’iu falënderoj edhe njëherë për këtë pjesëmarrje e t’u them mirupafshim në çdo ditëlindje të Atit tonë shpirtëror. Sepse ky aktivitet do të jetë tash e tutje tradicional!”.

Ky manifestim për 619-vjetorin e Skënderbeut, është organizuar nga “Korporata Kryeziu” dhe “Organizata Shqiptaria”. /TV Arbëria

TV Arbëria ju sjell pamje nga festa:

Powered by WordPress