Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Ngufatja e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes

Ngufatja e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes

Ngufatja e plotë (obstrukcioni) i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes është gjendje e cila kërkon intervenim urgjent, pasi që mundet për një kohë shumë të shpejtë të sjell deri te vdekja

Prof.ass.dr. Isuf Bajrami
Specialist i mjekësisë urgjente
Qendra e Mjekësisë Urgjente-Prishtinë

Te të rriturit, shkaku më i zakonshëm i bllokimit të rrugëve të frymëmarrjes është ushqimi (zakonisht peshku, mishi ose kafshata e ushqimit).

Shumica e këtyre rasteve ndodhin gjatë ngrënies dhe pacienti fillon të kapë qafën. Zakonisht ka dëshmitarë.

Shenjat dhe simptomat ndryshojnë në varësi të shkallës së obstruksionit të rrugëve të frymëmarrjes.

Shkaktarët e ngufatjes së rrugëve të sipërme të frymëmarrjes

Ngufatja e rrugëve të sipërme respiratore me trupa të huaj më së shpeshti ndodhë gjatë ushqimit (rënia e kafshatës), ndërsa te fëmijët gjatë lojës me lojëra të imta.

Nëse personi i ri i shëndoshë menjëherë ndërpret frymëmarrjen, fillon të mavijoset, të humbë vetëdijen, mund të dyshohet në trupin e huaj në rrugët e frymëmarrjes. Kjo gjendje mundë të interpretohet gabimisht si arrest akut kardiak për shkak të sulmit në zemër.

Ngufatja e rrugëve të sipërme respiratore mund ta hasim edhe te personat në gjendje pa vetëdije, shfaqet me rënie të gjuhës. Gjithashtu është i mundur ngufatja me gjak (te lëndimet e kokës) ose nga përmbajtja prej lukthit (për shkak të vjelljes).

Duhet ditur se ngufatja e rrugëve të sipërme respiratore nuk është problem i zakonshëm te viktimat e përmbytura. Uji nuk vepron si trup i huaj dhe nuk i mbyllë rrugët e frymëmarrjes. Për këtë arsye mos tentoni “të zbrazni ujin prej mushkërive”.

Viktimat e përmbytura kërkojnë zbatimin e RKP, para së gjithash frymëmarrje artificiale, me qëllim të korrigjimit të mungesës së oksigjenit (hipoksia).

Te personat e tillë nuk rekomandohet manovra e Haimlichut.

Shenjat e obstruksionit të lehtë të rrugëve të frymëmarrjes

Në pyetjen: “A pongulfatesh?”, pacienti flet dhe përgjigjet “Po”.

Shenja të tjera – Pacienti mund të:

• të flas
• të kollitet
• të marrë frymë

Shenjat e obstruksionit të rëndë të rrugëve të frymëmarrjes

Në pyetjen “A po ngulfatesh?, pacienti nuk mund të flasë, por mund të përgjigjet duke tundur kokën.

Shenja të tjera:

• pacienti nuk mund të marrë frymë
• zhurma e frymëmarrjes gjëmuese
• përpiqet të kollitet në heshtje
• pacienti mund të jetë pa vetëdije

Ndihma e parë: Shpëtimtari duhet ta mbajë viktimën gjatë përpjekjeve të sforcuara për kollitje dhe frymëmarrjes spontane me qëllim të hedhjes së trupit të huaj.

Nëse viktima ka këmbim të keqësuar të gazrave ajo do ti manifestoj shenjat vijuese:

– kollitja e shkurtë, joefektive;
– ton i lartë gjatë inspiriumit dhe ekspiriumit;
– probleme gjithnjë më të mëdha gjatë frymëmarrjes e ndoshta edhe ngjyra e mavijosur e lëkurës dhe mukozave (cianoza). Këtë person duhet trajtuar sikur ka ngufatje totale të rrugëve të frymëmarrjes.

Pasqyra klinike e personit me mbyllje të plotë të rrugëve të frymëmarrjes është shumë dramatike:

– ai nuk mund të përgjigjet, as të kollitet e as të merr frymë;
– shpesh mbahet me duar në qafë.

Ndihma e parë: Shpëtimtari duhet të pyes personin se a ka frymëzënie.
Nëse ai e lakon kokën, shpëtimtari pyet se a mundë të flasë. Nëse nuk mundet, shpëtimtari duhet shpejtë të ofroj ndihmë.
Nëse ndihma vonohet, personi i cili ngulfatet shpejtë humb vetëdijen.

Lirimi i rrugëve të frymëmarrjes nga trupi i huaj ekzekutohet me këtë renditje:

– deri 5 goditje me mollëzën e dorës ndërmjet skapullave (shpatullave) të viktimës dhe
– deri 5 shtypje abdominale – kapja e Haimlichut.

Manovrimi i goditjes së gjoksit në këmbë i aplikuar te viktima e vetëdijshme me bllokimit të rrugëve ajrore me trupa të huaj:

i ekzekutohet manovra e Haimlichut

Te personi i cili qëndron në këmbë ose ulet, manovra e Haimlichut ekzekutohet ashtu që shpëtimtari qëndron pas viktimës, e kap me duar të cilat i bashkon nën kockën e sternumit të viktimës. Në këtë rast njëra shuplakë e shpëtimtarit e shtyn shuplaken tjetër e cila mblidhet në grusht. Mandej shpëtimtari me forcë i lakuar bën shtypje nga pas dhe lartë. Me këtë rritet shtypja në kafazin e kraharorit deri në nivelin i cili ka forcën e kollitjes dhe është e mjaftueshme të hedhë trupin e huaj dhe të liroj rrugën e frymëmarrjes.

Kapja e Haimlichut mundë të ekzekutohet edhe në formë të vetëndihmës; si mbështetje mund të përdoren disa pjesë të mobileve (p.sh.. tehu i tavolinës).

Nëse viktima është shumë obez ose shtatzënë, mund të përdoret veprimi i modifikuar i shtypjes në kafazin e kraharorit, saktë, në mes të dërrasës së gjoksit.

Nëse shpëtimtari nuk mundet me duart e tija të përfshijë trupin e viktimës duhet të vendoset në shpinë, të qëndroj nga ana e tij (sikur për RKP) të shtyp në kockën e sternumit. Në rast se veprimi nuk ka qenë i suksesshëm, mund të përsëritet edhe një herë (5 herë goditje në mes shpatullave dhe 5 herë manovra e Haimlichut).

Nëse nuk është bërë drejtë kapja e Haimlichut, mund të shkaktojë komplikacione të caktuara (lëndime të organeve të brendshme, p.sh.. lëndim të mëlçisë, ose lëndimet e pëlhurës së mushkërive). Për këtë arsye gjatë ekzekutimit të këtij veprimi duhet shmangur shtypjen e harqeve të brinjëve dhe majën e sternumit. Madje edhe ekzekutimi i drejtë i manovrës së Haimlichut mund të ketë pasoja (p.sh. vjelljet).

Veprimet e lirimit të rrugëve të frymëmarrjes te personi në gjendje pa vetëdije

Në qoftë se te personi, trupi të huaj është në rrugët e sipërme të frymëmarrjes dhe ka humbur vetëdijen, shpëtimtari duhet të fillojë shtypjet në kafazin e kraharorit, gjegjësisht të filloj veprimet e RKP-së.

Nëse në ventilimin e parë nuk vjen deri te ngritja e kafazit të kraharorit, duhet të kontrollohet pozita e kokës, të kontrollohet kaviteti i gojës dhe të largohet përmbajtja e dukshme. Pastaj të jepet frymëmarrja e dytë dhe pa marr parasysh suksesin e saj, të vazhdohet me kompresione të pandërprera dhe ventilacione.

Te çdo cikël i ri (pas kompresionit të gjoksit) duhet kontrolluar se a kemi trup të huaj në kavitetin e gojës dhe të largohet.

Veprimi i lirimit të rrugëve të frymëmarrjes te fëmija praktikisht nuk dallojnë me veprimet e të rriturve.

Te foshnjat veprimi ekzekutohet me renditjen vijuese:

– me goditje të lehtë me rrënjën e dorës në mes të shpatullave të latantit, i cili shtrihet në bark në dorën tjetër të shpëtimtarit, me kokë në pozitë neutrale, e të kthyer nga poshtë. Pas pesë goditjeve kontrollohet se a ka trup të huaj në kavitetin e gojës e në rast të prezencës ai largohet.
– presioni në kockën e sternumit me dy gishtërinj.

Koka e foshnjës është në pozitë neutrale, e kthyer nga poshtë.
Me gishtërinj të dorës së njëjtë të kapet nofulla e poshtme e foshnjës.
Kompresioni bëhet pesë herë. Mandej konstatohet se a është trupi i huaj në hapësirën e gojës.

Përmbledhje

• Obstruksioni i rrugëve të frymëmarrjes nga trupi i huaj shpesh ndodh gjatë ngrënies.
• Pyetja që i bëhet pacientit “A po ngulfatet’, mund të ndihmojë në vendosjen e diagnozës.
• Goditjet në shpinë dhe presioni në bark mund të largojnë pengesën.
• Pas çdo goditje në shpinë dhe presioni në bark, duhet të kontrollohet nëse pengesa është hequr.
• Shtypja në bark mund të shkaktojë lëndime të brendshme, prandaj pacientët duhet të ekzaminohet në spital.
• Trupi i huaj duhet të largohet me dorë vetëm nëse shihet.

/Telegrafi/

Powered by WordPress