James Pace, përfaqësues i ZPS-së në Hagë tha se dëshmitari Nuredin Abazi në katër raste ku kishte dhënë dëshmi para autoriteteve kishte thënë se ia kishte kërkuar Sadik Halitjahës lirimin e Rrushe dhe Latife Kolollit.
Sipas Pace tani dëshmitari është duke e ndryshuar deklaratën e tij.
“Nuk po e ndryshojë. E kemi bisedu edhe para një javë. Unë gjithmonë kam aludu në shtabin e batalionit. Batalioni ka pas shtab edhe unë kam thënë që iu kam propozuar këtyre dy emrave ( Naim Kadolli dhe Agim Zyba) që u përmenden më herët që të lirohen. Ata pastaj, me kë kanë bisedu nuk e di”, tha dëshmitari si përgjigje ndaj parashtrimeve të prokurorit.
Përpara kësaj, Paces lexoi një përmbledhje ku së fundi dëshmitari kishte thënë se nuk kishe folur asnjëherë me Sadik Halitjahen për këto dy gra për të cilat vetë Nuredin Abazi kishte cilësuar se nuk kanë të bëjnë fare me spiunazh.
“Gjatë seancë përgatitore së kaluar u thatë se pasi biseduat me Latife dhe Rrushe Kulolli në Budakovë në cilësinë tuaj të këshilltarit juridik ju dolët në përfundimin se ato nuk kishin fare lidhje me spiunazh dhe për mendimin tuaj ato duhet të ishin liruar. Ju thoni se i keni propozuar Agim Zybës dhe Naim Kudollit që t’i lironi ose t’i qoni tek brigada dhe se Zyba e Kadolli i larguan nga Budakova. Gjithashtu thatë se s’keni folu asnjëherë me Sadik Halitjahën për Latfie dhe Rrushe Kulollin”, tha prokurori, raporton betimiperdrejtesi.
Ndërsa, dëshmitari e pohoi se e kishte thënë një gjë të tillë.
“Po. Kam thënë me i liru pastaj unë nuk kam qenë kompetent për me dhënë urdhra. Kam thënë të lirohen se nuk kanë bërë asgjë me spiunazh. Krejt ato kanë të bëjnë me motive të ulëta që e kam kuptu gjatë bashkëbisedimit me ato”, tha dëshmitari duke shtuar se lirimin e këtyre dy grave ia kërkuar Naim Kudollit dhe Agim Zybës.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.