Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Nis dëshminë dëshmitari i 58-të i ZPS-së në rastin Thaçi dhe të tjerët

Nis dëshminë dëshmitari i 58-të i ZPS-së në rastin Thaçi dhe të tjerët

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 58-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me kodin 03877 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ky dëshmitar është me masa mbrojtëse me arsyetimin për mbrojtjen e tij e që për atë nuk u dëgjua as ndonjë përmbledhje siç bënë zakonisht prokuroria për shumicën e dëshmitarëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Para se të fillojë pyetjet prokuroria, dëshmitari kërkoi që të flas lidhur me një çështje, mirëpo seanca kaloi në përmbajtje të redaktuar e më pas në sesion privat për publikun.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III dëshmia e këtij dëshmitari do të zgjasë rreth dy ditë. Ai tha se ZPS i ka paraparë tri orë për pyetje, mbrojtja rreth pesë orë e gjysmë, kurse mbrojtja e viktimave nuk do të ketë pyetje.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

Powered by WordPress