Shkruan: Afrim Kasolli-Që kur pat filluar shkatërrimi i Jugosllavisë, analistë të ndryshëm ndërkombëtarë kishin paralajmëruar, se shpërthimi eventual i një lufte në territorin e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë do të bëhej i pa menaxhueshëm në aspektin ndërkombëtar. E tëra kjo për shkak të peshës së jashtëzakonshme gjeopolitike rajonale që e gëzon territori i Luginës së Vardarit, ku sot shtrihet ky shtet. Madje, gazetari britanik, Misha Glenny, paralajmëronte në librin e tij “Historia e Ballkanit” se nëse nuk kontrollohen flakët e luftës në Kosovë, ato pashmangshëm do të shpërhapen edhe në atë shtet. Dhe se bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë gjithçka që është mundur për ta fikur këtë vatër zjarri nëse nuk dëshiron që të përballet me një luftë të re ballkanike me implikime evropiane.
Po ashtu, historikisht është e ditur se që kur u shfaq “Kriza Lindore” në fund të shekullit 19-të, Maqedonia ishte njëra nga temat më sensitive të saj. Historiani i njohur anglez A.J.P Teylor që pas Kongresit të Berlinit, kishte shkruar se Maqedonia dhe Bosnja, si dy nga rezultatet e Kongresit përmbanin “farën e dy katastrofave të mëdha”. Duke marrë parasysh kryqëzimin e interesave të Greqisë, Serbisë, Shqipërisë dhe Bullgarisë, si dhe pasojave që mund të krijonte për NATO-në, një konflikt ndërmjet këtyre vendeve për këtë hapësirë që quhet Maqedoni, që pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe shkatërrimit të Jugosllavisë, SHBA-të e kanë trajtuar më prioritet të lartë stabilitetin e brendshëm të këtij shteti. Kjo ishte edhe arsyeja që pak ditë pas pavarësimit në fillim të viteve ’90, SHBA-të e dërguan një forcë të vogël ushtarake në këtë vend, duke treguar se stabiliteti i këtij shteti është interes jetik strategjik amerikan për sigurinë e rripit të Euro-Azisë. Këto janë vetëm disa nga arsyet që e kam parë më dyshim përfshirjen e kryeministrit Kurti në zgjedhjet e brendshme në Maqedoni.
Sidoqoftë, faza e parë e garës presidenciale përfundoi dhe koalicioni opozitar në taborin shqiptar i quajtur VLEN, pësoi humbje. Megjithatë, partia opozitare VMRO-DPMNE, ka gjasa të mëdha që ta fitojë si postin e presidentit(nëse eventualisht nuk ndodh ndonjë përmbysje e rezultatit në favor të kandidatit, Stevo Pendarovski, presidenti aktual, kundër Gordana Siljanovska Davkova, kandidates së VMRO-DMPNE-së, e cila aktualisht ka një përparësi të madhe në raport më të parin), ashtu edhe ta marrë drejtimin e ekzekutivit.
Ndërkohë, pak pas daljes së rezultateve të para preliminare, drejtuesi i kësaj partie, i trimëruar nga mbështetja e publikut e ka bërë të qartë se do ta preferonte një koalicion qeveritar me “listën zgjedhore” të Albin Kurtit. Asgjë të keqe nuk do të kishte në këtë drejtim sikur të mos ishte në pyetje orientimi aktual politik kësaj partie. Ajo gjatë gjithë kohës sa ishte në pushtet nën drejtimin e Nikolla Gruevski-it, nuk kishte pranuar ta ndryshonte emrin e shtetit, kusht ky i vënë nga Athina zyrtare, për ta zhbllokuar procesin e anëtarësimit në NATO.
Po ashtu, VMRO-DPMN, është betuar se nuk do të pajtohet me kërkesën e Sofjes për ndryshime kushtetuese, me qëllim shndërrimin e minoritetit bullgar si kategori kushtetuese, si parakusht për integrime evropiane. Prandaj, çdo bashkëpunim me këtë parti pa u plotësuar ky kriter nuk do të thotë asgjë tjetër, vetëm se favorizim i interesave të Serbisë në atë shtet. Një qasje e tillë do të thotë ta mbash këtë shtet të bllokuar në vorbullën e interesave anti-perëndimore dhe pa dyshim anti-shqiptare. Madje, nuk është e rastësishme që rritja e popullaritet të kësaj partie ka shkuar paralelisht rritjen e disponimit publik për Serbinë. Sipas të dhënave të fundit të Institutit Ndërkombëtar Republikan për Ballkanin Perëndimor, Serbia sot shihet nga shumica e banorëve të Maqedonisë së Veriut, si aleati kryesor i tyre. Kurse për të parën një rol të tillë e luan Rusia. Ndërkohë, njëra nga arsyet se pse VMRO-DMPNE, ka arritur ta ketë këtë sukses elektoral, ishin edhe akuzat konstante ndaj LSDM-së për “lëshimet e shumta” që ka bërë ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).
Kështu, nëse ky shtet nuk e ruan orientimin perëndimor, atëhere pashmngashëm do të shndërrohet në poligon të antagonizmave të shumëfishta rajonale. E, partia e VMRO-DMNE-së e ka shndërruar vetën në një trampolinë të tyre. Në anën tjetër, sipas njohëseve të zhvillimeve në atë shtet edhe shumë nga protagonistët e koalicionit VLEN kanë orientim neo-otoman.
Në këtë kontekst, intervenimi i Albin Kurtit në proceset e brendshme zgjedhore në Maqedoni të Veriut për ta dëmtuar LSDM dhe BDI, sepse gjoja ato e mbështetin Ballkanin e Hapur, në fund mund të rezultojë jo më dëmtim të Serbisë, por me një favorizim edhe më të madh të saj.
/TV Arbëria