Për herë të parë, Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka siguruar pajisjen për diagnostikim dhe menaxhim të llojeve të ndryshme të kancerit, por edhe të disa sëmundjeve të tjera, të njohur si PET/CT.
Shërbimet me këtë aparaturë nuk janë ofruar kurrë në QKUK, por në institucione private ose jashtë shtetit – gjë që u ka kushtuar pacientëve me mijëra euro.
Situata në dëm të tyre, megjithatë, do të mund të vazhdojë edhe për ca kohë, përkundër sigurimit të PET/CT-së.
Kjo, pasi objekti ku është vendosur aparatura, duhet të marrë leje të veçantë, stafi duhet të trajnohet dhe materiali shpenzues duhet të sigurohet.
Si është siguruar PET/CT-ja?
PET/CT-ja, në vlerë prej 1.5 milion eurosh, është siguruar si donacion, përmes angazhimit të Fondacionit Jahjaga – një organizatë joqeveritare e udhëhequr nga ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Aparatura ka arritur në QKUK qysh më 14 shkurt, por nuk është funksionalizuar ende.
“Besojmë se tani janë në fund të punëve finale, për ta funksionalizuar atë”, thanë shkurtimisht nga Fondacioni Jahjaga.
Aparatura është vendosur në një objekt të Shërbimit të Mjekësisë Nukleare brenda QKUK-së.
Drejtori i këtij shërbimi, Faik Spahiu, numëron disa arsye përse ajo nuk është futur në funksion:
“Objekti është në renovim, por në përfundim e sipër. Trajnimet për teknikë dhe mjekë janë duke u mbajtur ende, ndërsa disa do t’i kemi edhe jashtë shtetit”.
Spahiu, po ashtu, thotë se objekti ku është vendosur PET/CT-ja, duhet të licencohet nga Agjencia e Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguri Bërthamore.
Ai thotë se kjo procedurë nuk do të marrë shumë kohë, por nuk specifikon më shumë.