Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, së fundmi tha se Polonia është e gatshme të presë armët bërthamore të NATO-s nëse i kërkohet për të forcuar krahun lindor të aleancës.
Ndryshe, Polonia historikisht ka qenë e ndjeshme ndaj luftërave evropiane dhe ka rritur në mënyrë dramatike buxhetin e saj të mbrojtjes si përgjigje ndaj agresionit rus.
Por, gatishmëria e polakëve për të pritur armë bërthamore, nuk u prit mirë nga rusët, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
Madje, zëvendësministri i jashtëm rus Sergei Alexeyevich Ryabkov, deklaroi se çdo kapacitet bërthamor i NATO-s i vendosur në Poloni do të jetë në shënjestër të forcave ruse.
Ky propozim nga NATO vjen pasi pushtimi i Rusisë në Ukrainë ka kërcënuar sigurinë evropiane dhe ka ngritur shqetësimet e një konflikti më të gjerë.
Megjithëse sistemet moderne të shpërndarjes së armëve bërthamore nuk kanë nevojë të vendosen afër objektivave të synuara, vendosja e tyre dërgon një mesazh të fuqishëm politik.
Një të tillë e ka dërguar edhe presidenti rus, Vladimir Putin, me vendosjen e armëve bërthamore në Bjellorusi në vitin 2023.
Fillimisht, kjo nismë ishte projektuar për të penguar Perëndimin nga rritja e mbështetjes për Ukrainën.
Megjithatë, sipas analistëve, Rusia e di se nëse Perëndimi angazhohet plotësisht në mbrojtjen e Ukrainës, ajo nuk do të jetë në gjendje të arrijë objektivat e saj strategjike.
/TV Arbëria