Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Si reagoi bashkësia ndërkombëtare për (mos)dështimin e referendumit në veri?

Si reagoi bashkësia ndërkombëtare për (mos)dështimin e referendumit në veri?

Ashtu siç pritej referendumi i organizuar në ditën e diel për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore nuk arriti ta plotësojë kriterin udhëzimit administrativ prej 50 përqind+1 votë të trupit elektoral të komunave përkatëse.

Dështimi i këtij referendumi, për shkak të bojkotimit të Listës Serbe, nënkupton se kryetarët aktualë do të mund të vazhdojnë punën e tyre deri në fund të mandatit, sepse sipas të njëjtit udhëzim ndalohet një referendum tjetër për 12 muaj e ardhshëm.

Ky dështim shkaktoi një reagim të pritur ndërkombëtar. Ambasada amerikane në Kosovë ka shprehur keqardhje për vendimin e Listës Serbe dhe figurave tjera politike serbe në Kosovë, që nuk morën pjesë në procesin e votimit për largimin ose jo të kryetarëve shqiptarë nga katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Sipas Ambasadës, përmes pjesëmarrjes në votim, serbët kanë mundur të “avancojnë në demokraci efektive dhe përfaqësuese”.

Ndërkohë, Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka deklaruar se nga votimi i të dielës në veri, nuk është arritur në situatën ku të gjithë qytetarët do të mund të ndihen të përfaqësuar nga kryetarët e komunave, dhe se ata që deshën bojkot, morën atë që e kërkuan.

Kurse Bashkimi Evropian nëpërmjet një komunikate zyrtare ka pohuar se rezultati i procesit të 21 prillit nuk kontribuon në uljen e tensioneve dhe në hapjen e rrugës për kthim të serbëve në institucionet e Kosovës, çka është thelbësore për normalizim të marrëdhënieve.

E një qëndrim më të ndryshëm për këtë proces ka mbajtur Franca. Ambasadori francez në Kombet e Bashkuara, Nicolas de Riviere, ka thënë të hënën se në veriun e Kosovës duhet të organizohen shpejt zgjedhje, me pjesëmarrje të të gjitha komuniteteve, për t’i zgjedhur kryetarët e rinj të katër komunave me shumicë serbe.

“Franca rikujton se tërheqja e kryetarëve të zgjedhur me vetëm 3 për qind të votave, do të ishte mënyra më e shpejtë për rivendosje të demokracisë përfaqësuese në katër komunat në veri, dhe do të jetë shenjë e shtensionimit të situatës”, pohoi ndër të tjera ambasadori francez.

Këtu vlen të kujtohet se kërkesa për dorëheqjen e kryetarëve shqiptarë kishte qenë një rekomandim i diplomatëve ndërkombëtarë si nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ashtu edhe nga Bashkimi Evropian. Mirëpo Qeveria e Kosovës e kishte refuzuar këtë rekomandim me argumentin se ajo është një dëshirë e Beogradit zyrtar. Kështu sipas zyrtarëve qeveritarë mbajtja e këtyre zgjedhjeve mund të bëhet vetëm nëpërmjet një udhëzimi administrativ, të cilin më kalimin e kohës e nxori Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL).

Ndërkohë, Kosova ishte vendosur nën masa sanksionuese nga Brukseli pikërisht për shkak të zvarritjes së organizimit të zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat më shumicë serbe në pjesën veriore. Pas mbylljes se qendrave të votimit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, kërkuan suspendimin e këtyre masave sipas tyre të padrejta, sepse tashmë intitucionet e Kosovës e zbatuan kriterin e kërkuar nga BE-ja.

Kurse Bashkimi Evropian ka pohuar se lidhur me thirrjet qeverisë së Kosovës për heqjen e masave ndëshkuese, “Këshilli do të diskutojë masat e Bashkimit Evropian në bazë të një raporti të Përfaqësuesit të Lartë (Josep Borrell) mbi përmbushjen e kërkesave të BE-së”.

/TV Arbëria

 

 

 

 

Powered by WordPress