Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Çka pas dështimit të referendumit?

Çka pas dështimit të referendumit?

Shkruan: Afrim Kasolli-Ashtu siç pritej referendumi për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore nuk arriti ta plotësojë kriterin udhëzimit administrativ prej 50+1 përqind të trupit elektoral të komunave përkatëse. Dështimi i këtij referendumi nënkupton se kryetarët aktual do të mund të vazhdojnë punën e tyre deri në fund të mandatit, nëse në ndërkohë nuk zbatohet ndonjë procedurë tjetër, sepse sipas të njëjtit udhëzim ndalohet një referendum i kësaj natyre për 12 muaj e ardhshëm.

Siç dihet, kërkesa për zgjedhje të reja ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e bashkësisë ndërkombëtare. Mirëpo, diplomatë të ndryshëm amerikanë dhe evropianë kishin kërkuar që kjo gjë të bëhej nëpërmjet dorëheqjes, kurse Qeveria e Kosovës kishte insistuar që një proces i tillë do të mund të finalizohet vetëm nëpërmjet peticionit dhe referundimit. Kurse për shkak të kësaj teme, por jo vetëm, Kosova ishte vendosur nën masa sanksionuese nga Bashkimi Evropian, masa të cilat janë ende në fuqi.

Me këtë rast, me të përfunduar dita e djeshme kryeministri Albin Kurti, refuzimin e qytetarëve të asaj pjese për votuar në këtë referendum i quajti vetëm si dështim të shtetit të Serbisë. Sepse sipas tij, tashmë Serbia është e bindur që mund t’i mobilizojë 20% të qytetarëve serbë por jo mbi 50%.

Mirëpo, nëse kjo është kështu, atëherë  shtrohet një pyetje logjike, a është legjitime që komunat në veri të drejtohen me kryetarë me më pak se 1 përqind legjitimitet qytetarë?

Në fund si kryeministri ashtu edhe presidentja u mjaftuan me thirrjet që duhet të hiqen masat sanksionuese të BE-së ndaj Kosovës, sepse tashmë kjo e fundit e plotësojë kërkesën e tyre. Ky qëndrim shpreh një “avancim” politik në raport me rekomandimet e mëhershme të zv. kryeministrit Besnik Bislimi i cili deklaronte se “Kosova nuk duhet të shpallë zgjedhje në veri të vendit, pa u hequr masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian”.

Pra në këtë mënyrë, numri dy i Qeverisë së Kosovës e kërkonte privimin nga e drejta demokratike e një segmenti të popullsisë për aq kohë sa shteti i Kosovës gjendej nën sanksione.

Në këtë kontekst, dita e djeshme vetëm sa dëshmoi se kriza ndërmjet legalitetit dhe legjitimitetit në pjesën veriore të Kosovës vetëm sa do të vazhdojë. Për të mos thënë ajo do të mund thellohet edhe më shumë. Dhe përçarje të tilla mund të adresohen vetëm me mjete politike. Çdo opsion tjetër mund te jetë me pasoja fatale.

/TV Arbëria

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Powered by WordPress