E njohur për zërin e saj të veçantë dhe për hitet që kanë pushtuar tregun muzikor shqiptar, këngëtarja Alma Bektashi ka qenë e ftuara më e fundit në emisionin “Show i së Premtes”.
Gjatë intervistës me moderatoren dhe njëkohësisht kolegen e saj nga skena e muzikës, Adelina Ismaili, Alma ka ndarë me publikun hollësi nga rruga e saj artistike dhe jetësore.
Ajo u rrëfye për sfidat që ka përballur në një periudhë të rëndësishme të saj, kur ishte studente në Akademinë e Arteve në Tiranë. Veçanërisht, Alma ka treguar për një përvojë dramatike kur, në vitin e tretë dhe të katërt të studimeve, vendosi të kalonte kufijtë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës në mënyrë ilegale për të vizituar familjarët e saj në Kosovë.
“Unë për vete gjatë kohës së studimeve (vitin e tretë dhe të katërt) i kam kaluar ilegalisht kufijtë, vetëm e vetëm për të mos i marrë ato vulat e policisë, sepse ta merrnin pasaportën”, rrëfeu Alma.
Ky detaj ka hedhur dritë mbi realitetin e atëhershëm në Shqipëri, ku lëvizjet e lira të qytetarëve ishin të kufizuara nga regjimi komunist dhe ku kalimi i kufirit me Kosovën ishte një akt i guximshëm dhe me rrezik të lartë.
Alma e cila ka qenë trajnere për pesë vite rresht në spektaklin e talenteve të reja “The Voice of Albania”, tregoi gjithashtu se mendon rikthimin në muzikë, por se ende nuk e ka gjetur materialin e duhur muzikor, me të cilin do të vijë.
Ajo aktualisht është e angazhuar me punë si profesoreshë në Akademinë e Arteve, në Universitetin e Prishtinës. /Telegrafi/