Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Fundi i domosdoshëm i “fashizmit patriarkal” mbi gratë

Fundi i domosdoshëm i “fashizmit patriarkal” mbi gratë

Shkruan: Afrim Kasolli

Dita e djeshme ishte një ditë e kobshme për Kosovën. Gjyljeta Ukella, një nënë, grua dhe bashkëshorte, është viktima e radhës në mesin e viktimave të shumta gra për shkak të akteve morbide që burrat kanë ushtruar mbi gratë në shoqërinë tonë gjatë viteve të fundit.

Mjerisht, ky rast ndodhi pa kaluar as 48 orë nga një ngjarje tjetër tragjike në qytetin e Ferizajt,  ku Erona Cokli u vra nga burri i saj në duart e institucioneve shtetërore. Organizatat që merren me mbrojtjen dhe afirmimin e barazisë gjinore kanë kërkuar që “vrasja e grave duhet të trajtohet si urgjencë kombëtare nga institucionet e Kosovës në mënyrë që ky cikël i dhunës me baza gjinore të përfundojë”.  Po ashtu, është potencuar, se “lufta për barazi dhe drejtësi duhet të shtrihet që nga sferat private të jetës së përditshme deri te kontekstet më të gjëra të padrejtësive publike dhe dhunës sistemike”.

Analistë të ndryshëm, kanë vënë në pah shkaqe të ndryshme që po ndikojnë në këtë femicid. Madje duke e krahasuar edhe me numrin gjithnjë e më të shtuar të divorceve, nuk kanë munguar as shpjegimet e simplifikuara gjoja mbi krizën sociale dhe psikologjike që po kalon familja si nukleus social edhe në shoqërinë tonë. Mirëpo, shtrohet pyetja për çfarë lloj familje është fjala?

Është pikërisht kjo familje tradicionale që e trajtonte gruan si pronë të burrit dhe kërkonte nënshtrim absolut të saj ndaj pushtetit patriarkal. Ku ai ishte sundimtari absolut brenda mureve të shtëpisë dhe gruaja vetëm një robe e tij. Ishte ky model , që siç shkruante, Arben Xhaferi, “pozitën e fermës në shoqëri e rendonte tej mase sepse mashkulli me autoritetin e tij pozitën e dhe dinjitetin në shoqëri e ndërtonte mbi baza të moralitetit dhe të femrës dhe jo të tij. Prandaj, ai përmes një represioni të vazhdueshëm prej moshës fëmijërore e deri në pleqëri që të jetë garantuese e moralitetit të familjes përkatësisht vëllait, të prindit ose të bashkëshortit. Në kuadër të kësaj mendësie femra duhej të jetë shëmbëlltyrë e dëlirësisë, pafajësisë, amësisë etj etj, ndërsa nga mashkulli nuk priten vlera të këtilla absolute”. A nuk kemi dëgjuar sa e sa herë shprehje dhe sentenca të tilla sikurse ‘po ai është burrë’ dhe i lejohet gjithçka, dhe ti je ‘grua e duhet të ulësh kokën’, shprehje këto që e kanë formuar substratin social të shtypjes tradicionale mbi gratë.

Sidoqoftë, për shkak të ndryshimeve dhe transformimeve që kanë ndodhur në shoqërinë tonë edhe këto kode represive kanë filluar të detronizohen. Kështu, burrat shqiptarë humbjen e këtij pushteti ka kohë që kanë filluar ta përjetojnë si proces të zhburrërimit të tyre. Pra, ky proces po nxjerrë në sipërfaqe paaftësinë e tyre për jetuar dhe dashuruar në mënyrë të barabartë me një qenie tjetër njerëzore. Rrjedhimisht, edhe këto akte të shpeshta brutale të burrave mbi gratë reflektojnë krizën e “burrërore” psikologjike dhe morale për shkak të humbjes së pashmangshme të një pushteti të padrejtë që e kanë gëzuar ndër shekuj. Thjesht, për ta është bërë e papranueshme që partneri i tyre të jetë subjekt sikur ata. Prandaj, në pamundësi për ta ndalur këtë proces të domosdoshëm shoqëror, politik dhe historik, ata kanë filluar ta kërkojnë zgjidhjen në akte ekstreme morbide.

Në këtë kontekst, krahas thirrjes për masa më të ashpra ligjore ndaj kësaj dukurie, është e rëndësishme që të kuptohet, siç shkruante Simone de Beauvoir, se të emanciposh gruan do të thotë të mos pranosh ta mbërthesh në marrëdhënie që mban me burrin, por jo t’i mohosh ato; në qoftë se ajo vendos për veten, kjo nuk do të thotë se do të ekzistojë më pak edhe për burrin, duke njohur njëri-tjetrin si subjekt, secili do të mbetet për tjetrin një tjetër; dyanshmëria e marrëdhënieve të tyre nuk do të zhdukë mrekullitë që lind ndarja e qenieve njerëzore në dy kategori të veçanta; ajo nuk do të zhdukë dëshirën, zotërimin, dashurinë, ëndrrat, aventurat; dhe fjalët që na prekin; të japësh, të fitosh, të bashkohesh do të ruajnë kuptimin e tyre, përkundrazi, kur të hiqet skllavëria nga gjysma e njerëzimit dhe çdo sistem hipokrit që kërkon ajo, atëherë “seksioni” i njëzimit do të zbulojë domethënien e tij autentike dhe çifti njerëzor do të gjejë trajtën e tij të veçantë.

Është ky një mësim i domosdoshëm për burrat shqiptarë me qëllim që të pajtohen me nevojën e zhbërjes së atij “fashizmi psikologjik”, i cili ka dominuar për një kohë të gjatë brenda familjeve tona tradicionale, sipas të cilit gratë do të duhej të vazhdojnë ta adhurojnë atë formë të pushtetit që i ka mbajtur të nënshtruara.

 /TV Arbëria

Powered by WordPress