Notarja jonë, Hana Beiqi ka korrur sukses të madh në garën ndërkombëtare “MM Maribor 2024” që u zhvillua në Maribor të Sllovenisë.
Në këtë garë, Beiqi arriti t’i sjellë Kosovës tri medalje të arta dhe dy medalje të argjendta.
Po ashtu, notarja 15 vjeçare në disiplinën olimpike 50 metra shënoi kohën 27:21 sekonda, duke e çuar në 658 numrin e pikëve të Federatës Ndërkombëtare të Sporteve të Ujit.
Ndërkaq, në disiplinën joolimpike në stilin 50 metra not në shpinë, Beiqi u bë notarja e parë në histori të Kosovës që kalon numrin e 700 pikëve. Koha që Beiqi e regjistroi ishte 30:16 sekonda.
Sa i përket medaljeve, ajo në këtë garë fitoi medaljen e artë në 50 metra krol (kategoria kadetë), medaljen e argjendtë në 50 metra krol (kategoria absolute), medaljen e artë në 50 metra shpinë (absolute), medaljen e artë në 50 metra shpinë (kadetë) dhe medaljen e argjendtë në 100 metra delfin (kadetë).
/TV Arbëria