Reportere: Bjondina Elshani-Dhuna e vrasjet e grave në Kosovë janë bërë një dukuri shqetësuese. Në shumicën e rasteve të dyshuar për vrasje janë bashkëshortët e viktimave.
Ekzistojnë shumë raste kur shteti dështoi t’u ofrojë siguri grave dhe vajzave, edhe pse ato kishin raportuar dhunën.
Shteti i “vajton” rastet e tyre në “ditën e vrasjes”, por të nesërmen i harron…
Më poshtë keni vetëm disa nga shumë rastet e tmerrshme të vrasjes së grave e të cilat kishin tronditur Kosovën.
“U vra me 6 plumba në sy të fëmijëve në Llaushë” – Rasti i Lirije Qerimajt
5 janar 2022
48 vjeçarja Lirije Qerimaj, u vra nga bashkëshorti i saj, Skender Qerimaj, në shtëpinë e tyre në fshatin Llaushë të Skënderajt. Burri i saj gjuajti me armë zjarri gjashtë herë në drejtim të saj, ku dëshmitarë ishin edhe dy nga tre fëmijët e çiftit.
E ndjera 5 ditë para ditës së vrasjes, kishte kërkuar mbrojtje nga shteti për shkak të dhunës së vazhdueshme që bashkëshorti ushtroi mbi të, mirëpo kërkesa për mbrojtjen u dorëzua në ditën kur ajo u vra.
Skender Qerimaj e ka pranuar fajësinë dhe nga Gjykata e Mitrovicës u dënua me 24 vjet burgim dhe 500 euro gjobë për veprat penale “Vrasje e rëndë”, “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Fotografi nga lagjja e fshatit Llaushë, ku ndodhi vrasja e 49 vjeçares Foto: KALLXO.com
“U vra në muajin e 9-të të shtatzanisë para Klinikës së Gjinekologjisë” – Rasti i Hamide Magashit
30 nëntor 2022
Vrasja e 35 vjeçares shtatzanë, Hamide Magashit, para Klinikës së Gjinekologjisë, pranë QKUK-së, nga ish-bashkëshorti i saj tronditi vendin.
Magashi, nga fshati Llugaxhi i Lipjanit, gjatë 9 muajve të shtatëzanisë ishte maltretuar fizikisht e psiqikisht nga bashkëshorti, me të cilin kishte vendosur të ndahej dhe kishte kërkuar edhe mbrojtjen e shtetit.
Hamide Magashi, kishte një urdhër-mbrojtje që vlente deri në mars të 2023, ndërsa kishte raportuar burrin e saj në korrik për dhunë në familje.
Ajo u vra me armë zjarri, dhe vdiq në ditën kur do të bëhej nënë.
“Burri i saj planifikoi vrasjen e gruas dhe mori pjesë në varrimin e saj” – Rasti i Liridona Ademajt
29 nëntor 2023
Një prej rasteve shokuese, ishte vrasja e Liridona Ademajt, gruas 30 vjeçare e cila u vra tinëzisht me urdhër të burrit të saj, ku në momentin e ekzekutimit ishte me të.
Fillimisht, Policia e Kosovës, e ka raportuar rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”.
Pak orë pas varrimit Policia i arrestoi dy persona, burrin e saj, Naim Murselin dhe dorasin që i mori jetën Liridonës, Granit Plavën.
Pak më vonë, Policia ka arrestuar edhe një person të tretë, i dyshuar për bashkëpunim me dyshen Murseli-Plava.
Kushtrim Kokolla, pjesëtar i FSK-së, dyshohet se është bashkëpunëtor në kryerjen e këtij krimi.
Mllef, posaçërisht, ka nxitur fakti se Naim Murseli është parë duke marrë pjesë në varrimin e bashkëshortes.
Rasti i vrasjes së 30-vjeçares është dënuar rëndë në Kosovë. Ajo i ka lënë mbrapa dy fëmijë.
Fotoja e parë, Naim Murseli në varrimin e Liridonës
“Vrau gruan me sëpatë sa ishte në gjumë” – Rasti i Sanije Godenit
25 nëntor 2022
Tjetër rast që tronditi vendin është edhe ai i 63-vjeçares, Sanije Godeni, e cila u privua nga jeta nga bashkëshorti i saj 70-vjeçar.
Izet Godeni dyshohet të ketë goditur të ndjerën me sëpatë.
Rasti i ndodhur i tmerroi banorët e lagjes Tophane, të cilët çiftin e përshkruanin si të qetë e pa probleme.
Sadije Godeni, qe 28 vjet ishte mësimdhënëse në shkollën “Dardania”.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për dënimin me burgim prej 25 vjetësh për Izet Godenin, të akuzuarin për vrasjen e bashkëshortes së tij, Sadije Godenit.
Sanije Godeni, viktima dhe Izet Godeni, i dyshuari
“U dhunua e u rrah deri në vdekje” – Rasti i Marigona Osmanit
22 gusht 2021
Në orët e para të mëngjesit 22 gushtit, një vajzë 18-vjeçare ishte dërguar në Emergjencën e Spitalit të Ferizajt pa shenja jete.
Trupi i pajetë i Marigona Osmanit ishte dërguar në Spital nga dy persona, të cilët më pas ishin larguar shpejt nga aty.
Foto kur Krivaça e Sejdiu, e kishin dërguar trupin e pajetë të viktimës në spitalin e qytetit dhe më pas ishin larguar në drejtim të panjohur
Dy ditë pas ngjarjes, Policia kishte arritur ta arrestonte të dyshuarin kryesor, Dardan Krivaçën.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, kopjen e të cilës e ka siguruar KALLXO.com, Marigona Osmani para se të vritej ishte dhunuar të paktën dy herë po atë ditë.
Prokuroria e Ferizajt pretendon se dy të akuzuarit e kishin goditur me shkop 18-vjeçaren.
Sipas dosjes së Prokurorisë, i dyshuari Krivaça, për motive të ulëta, me dashje, ka ushtruar mizorisht dhunë fizike mbi viktimën deri sa ajo ka vdekur.
Gjithnjë sipas Prokurorisë, i dyshuari tjetër, Arbër Sejdiu, ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në vrasjen e Marigona Osmanit, pasi gjatë gjithë kohës, ka qenë në vendin e ngjarjes dhe ka marrë pjesë në ushtrimin e dhunës psikike e fizike.
Gjykata Themelore e Ferizajt, më 4 gusht, e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasjen e Marigona Osmanit.
Ndërsa, i dyshuari tjetër, Arbër Sejdiu, u dënua me 15 vjet burgim për veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë.
Dardan Krivaqa ishte person me të kaluar kriminale, ai ishte lënë i lirë pa një vendim meritor nga gjykata.
“Kërkoi mbrojtje nga Policia e Kosovës por u vra bashkë me vajzën e saj nga ish-bashkëshorti” – Rasti i Valbona Marku – Ndrecajt
7 gusht 2018
Valbona Ndrecaj dhe vajza e saj, u qëlluan për vdekje me kallashnikov nga bashkëshorti, përkatësisht babai, Pjetër Nrecaj, në Gjakovë, përkatësisht në fshati Brekoc, në shtëpinë e vëllezërve të Marigonës.
Problemet e çiftit kishin kohë që kishin filluar pas kërkesës së Valbonës për divorc. Pjetër Nrecaj kishte qëndruar rreth një muaj në paraburgim për veprën penale të “kanosjes” ndaj gruas.
Ditën e tragjedisë, Valbonës i kishte ardhur një mesazh kërcënues nga ai. E ndjera e kishte raportuar kërcënimin e burrit në polici – por këta të fundit nuk e morën seriozisht.
Valbona kishte kërkuar siguri nga Policia e Gjakovës, “sepse Pjetri nuk rri asnjëherë pa armë“.
“Në rregull është, sepse tash do të merremi ne me të”, i kishin thënë Policia.
Për Policinë e Kosovës nuk ka qenë i mjaftueshëm lajmërimi i kërcënimit nga e ndjera.
Pjetër Nrecaj është dënuar me burgim të përjetshëm nën akuzat për vrasje të dyfishtë.
Dorasi, Pjetër Ndrecaj dhe të ndjerat, ish-bashkëshortja Valbona dhe vajza e saj
“Gratë nuk janë të sigurta më as në institucionet e shtetit” – Rasti i Erona Coklit
12 prill 2024
Kosova sërish u trondit nga një ngjarje e rëndë, 21 vjeçarja Erona Cokli, mbeti e vrarë nga arma e ish-bashkëshortit, ndërsa u plagos vëllai i saj i mitur. E gjithë ngjarja ndodhi në objektin e Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj.
Axha i Erona Coklit, ka treguar se ish-çifti kanë pasur mosmarrëveshje mes vete.
Ai tha se çifti janë ndarë që një vit, dhe diferenca në moshë ka bërë që ata të kenë probleme.
Valon Aliu, ish-bashkëshorti i saj, 36 vjeçar, po dyshohet për vrasje të rëndë dhe për armëmbajtje pa leje.
Gjykata ka njoftuar se i dyshuari e ka qëlluar me armë viktimën disa herë në kokë brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj.
Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist ka thënë se vrasja e fundit tregon se gratë në Kosovë nuk janë të sigurta askund.
Vendi i ngjarjes Vëllai i të ndjerës sot në marshin protestues në Ferizaj
Protestat kundër vrasjeve të grave
Për t’u ndalur këto vrasje, e shteti të bëjë më shumë për t’i mbrojtur gratë kishte edhe protesta dhe thirrje për drejtësi.
Pamje nga protestat e thirrura për mbrojtjen e grave
Drejtoresha e Qendrës për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, u shpreh se këto vrasje janë një humbje e madhe gjithashtu dhe një shqetësim për sigurinë e grave dhe vajzave në Kosovë.
Demolli tha se shteti ka dështuar t’mbrojë gratë dhe vajzat edhe kur ato e kërkuan këtë mbrojtje e kjo sipas saj do t’i nxisë dhunuesit të marrin veprime tjera.
“Është e trishtueshme që në një vit të fundit janë raportuar këto raste të femicideve në media. Shumë raste të tjera mbeten të paraportuara. Autorët e vrasjeve të grave janë të njohur për viktimat. Qeveria duhet të garantojë sigurinë e grave dhe vajzave të forcojë mekanizmat sepse femicidi ka një ndikim psikologjik, emocional, fizik, ekonomik dhe social tek gratë dhe vajzat”, ka thënë ajo për TV Arbërinë.
Ajo i bëri thirrje Qeverisë që t’i fuqizojë institucionet për të rritur llogaridhënien, monitorimin dhe të ketë program të veçantë për femicid deri tek kriminalizmi i tij.
Luljeta Demolli në protestë për mbrojtjen e grave
Shpresojmë që raste të tilla të mos ndodhin më!
/TV Arbëria