Shkruan: Afrim Kasolli
“Μῆνιν ἄειδε θεὰ Πηληϊάδεω Ἀχιλῆος οὐλομένην, ἣ μυρί’ Ἀχαιοῖς ἄλγε’ ἔθηκεν -Këndo, hyjneshë, mërinë e Akil Pelidit, që shumë hidhrime e kobe akejve u solli”. Me keto vargje emblematike, të cilat gjenden në Iliadën e Homerit, fillon tradita e këtij civilizimi. Dhe nuk asgjë më tronditese se sa kjo zanafillë ta këtë si pikënisje këndimin e mërisë dhe zemërimit. Çfarë dëshmon se nga anashkalimi i kësaj force psiko-politike, nuk mund të shpjegohen as sot shumë fenomene sociale dhe politike.
Ismail Kadare, në sprovën letrare “Zemërimi i Akilit” pohon se nuk ka asgjë më simptomatike se fillimi i kësaj poeme me fjalën “menin”, që në greqishten e vjetër do të thotë “mëri”. Pra ta marrim këtë si një shenjë paralajmëruese, për një ogur të keq, që fjala e parë me të cilën nis letërsia europiane është pikërisht kjo, shkruan ndër të tjera Kadare. Sipas tij “një shekull më parë, një eseist shqiptar me emrin Faik Konitza shkroi një sprovë provokuese dhe sfidante, ku në mënyrë të prerë shpallte se ka më shumë se dy mijë vjet që vargu i parë i “Iliadës”, “Këndo o muzë mërinë e Akil Pelidit”, është përkthyer e vazhdon të përkthehet krejtësisht gabim në pothuajse të gjitha gjuhët e botës. Për më më shumë më përjashtim të emrit të Akilit, asgjë nuk është e saktë në këtë varg. Gjithmonë sipas tij, gabimi kryesor bëhet te fjala e parë “mëri”. Ai shpjegon se kjo fjalë, që zakonisht përkthehet me fjalën “zemërim”, në greqishten e vjetër ka një kuptim më të thellë e të ndërlikuar. Fjala “menin” është një hidhërim i thellë, i gjatë, i sëmurë, një gjendje depresioni, siç do të thuhej në kohë të Konitzës, e aq më tepër sot. Për ta kapur më mirë këtë, Konitza na kujton kalimin e kësaj fjale në latinisht, e pas latinëve në gjithë gjuhët europiane, në trajtën aq të përhapur “mania”, fjalë që qëndron në rrënjën e dhjetëra të tjerave, një pjesë e të cilave tregojnë gjendje të rënda psikike”. (Çuditërisht, si Ismail Kadare ashtu edhe Konica e anashkaluan ngjashmërine që ekziston ndërmjet nocionit antik “menin” dhe fjalës në gjuhën shqipe si “mëri” ashtu edhe “mani”)
Sidoqoftë, në epokën antike kanalizimi i kësaj force agresive ishte shndërruar në një detyrë politike dhe etike në funksion të në rendi të drejtë. Konceptualisht, margjinalizimi i saj nga fjalori ynë modern politik e ka varfëruar mundësine që të kapim me qartë shumë fenomene politike dhe sociale.
Pikërisht, këtë dobësi të vokabularit tonë “borgjez” socio-ekonomik tenton ta korigjoje filozofi i njohur gjerman Peter Slodertijk në veprën e tij të mëhershme “Range and Time” ( Zorn und Zeit), ku ai i rikthehet kësaj tradite në përpjekjen e tij për e dëshmuar se si zemërimi dhe mëria formonin një nga shtysat kryesore në shumë prej përmbysjeve politike duke filluar që nga Revolucioni Francez e deri në ditët e sotme. /tvarberia/