Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy bëri thirrje të enjten për ndihma kon krete ushtarake, veçanërisht sisteme të mbrojtjes ajrore, dhe jo vetëm mbështetje me fjalë për vendin e tij.
Thirrja e tij pason një sulm në shkallë të gjerë të Rusisë gjatë natës, sipas ushtrisë ukrainase, me 42 raketa dhe 40 dronë.
“Nëse raketat ruse dhe dronët ‘Shahed’ vazhdojnë të godasin jo vetëm Ukrainën, por edhe vendosmërinë e aleatëve tanë, atëherë kjo do të nënkuptonte autorizim në rang botëror për të kryer terror,” shkroi Presidenti Zelenskyy në mediat sociale. “Ne kemi nevojë për sisteme të mbrojtjes ajrore dhe ndihma të tjera në fushën e mbrojtjes dhe jo që të mbyllet njëri sy dhe të zhvillohen diskutime të gjata”, shkroi ai.
Presidenti Zelenskyy tha se sulmet e fundit kishin objektiv rajonet Kharkiv, Kiev, Zaporizhzhia, Lviv dhe Odesa.
“Terroristët rusë kanë vënë në shënjestër edhe një herë infrastrukturën kritike”, tha zoti Zelenskyy.
Forcat ajrore ukrainase thane se rrëzuan 39 nga 40 dronët dhe shkatërruan 18 nga 42 raketat.Operatori i shpërndarjes së energjisë elektrike Ukrenergo tha se sulmet ruse dëmtuan objektet e saj në pesë rajone të ndryshme.
Parlamenti i Ukrainës miraton ligjin e diskutueshëm për shtimin e rekrutëve
Parlamenti ukrainas miratoi të enjten një ligj të ri mbi mobilizimin e rekrutëve, pas disa muaj vonesash dhe mijëra amendamenteve.
Ligjvënësit e zvarritën për muaj të tërë ligjin, i cili pritet të jetë jopopullor. Ligji u nxit nga një kërkesë e forcave të armatosura, e drejtuar në atë kohë nga ish-komandanti Valerii Zaluzhny, i cili tha se Ukraina kishte nevojë për deri në 500,000 rekrutë të rinj për të rritur rradhët e ushtrisë.
Ushtarët e rraskapitur në vijën e frontit që kur Rusia nisi sulmin në shkallë të plotë të Ukrainës, nuk kishin mundësi të këmbeheshin për të pushuar, pasi mijëra ukrainas vazhdojnë t’i shmangen mobilizimit për t’iu bashkuar ushtrisë.
Ligji i ri zgjeron kompetencat e autoriteteve ukrainase për të nxjerrë njoftime mobilizimi duke përdorur një sistem elektronik.Komandanti i ri i forcave të armatosura ukrainase Oleksandr Syrskyi dhe presidenti Zelenskyy thanë se numri i rekrutëve të rinj të nevojshëm nuk ishte aq i lartë.
Ka patur njoftime se shkak për shkarkimin e ish komandantit Zaluzhny ishte çështja e mobilizimit. /VOA/