“E inkurajuar nga përparimet e fundit në Ukrainë, rreziku i drejtpërdrejtë nga Rusia për anëtarët e NATO-s si Polonia dhe shtetet baltike mbetet i lartë. Por, nuk janë të vetmet. Ballkani, shpesh i neglizhuar, është një aspiratë e Rusisë që po bëhet gjithnjë e më shumë i rrezikuar”, shkruan The Telegraph.
Në një analizë të autorëve Ivana Stradner dhe Mark Montgomery të publikuar në gazetën prestigjioze britanike thuhet se Britania dhe aleatët e saj nuk mund të lejojnë përshkallëzime në Ballkan, ndërsa përmendet se si Serbia – e mbështetur nga Moska – po rindez tensionet etnike në Bosnjë e Hercegovinë.
“Duke mbjellë kaos në Ballkan, Putini ka për qëllim ta forcojë ndikimin rajonal të Moskës, ta shpërqendrojë Evropën nga mbështetja e Ukrainës, dhe t’i japë Putinit avantazh mbi fuqitë perëndimore të cilat nuk duan që dhuna të përshkallëzojë. Për Vuçiqin, ndërhyrja në Bosnje e Hercegovinë ndihmon në forcimin e pushtetit të tij në Serbi. Ai gjithashtu përdor qasjen me Dodikun si mjet pazaresh me Perëndimin duke e pozicionuar veten si ndërmjetës”, thuhet në analizë.
Analiza ka vënë në theks rëndësinë që fuqitë perëndimore të merren me këto kërcënime tani para se të jetë vonë. Së pari, shkroi ajo, Washingtoni duhet ta ndryshojë mënyrën si merret me Vuçiqin. “Deri tash, SHBA-ja është përpjekur ta qetësojë liderin serb nga frika për përshkallëzim. Qetësia nuk do të funksionojë. Në vend të kësaj, ambasadori amerikan në Serbi duhet ta mbajë një qëndrim të prerë, duke e paralajmëruar Vuçiqin se ai do të mbahet përgjegjës për çdo përshkallëzim të dhunës. Bashkimi Evropian, ndërkohë, duhet t’i bashkohet SHBA-së dhe Britanisë për sanksione kundër Dodikut dhe akterëve të tjerë të cilët po e destabilizojnë Ballkanin Perëndimor”.
“Kremlini pa dyshim do të donte ta shpërqendronte Perëndimin duke e hapur një front të dytë në Ballkan. Putini dëshiron të tregojë se vullneti i tij për ta sfiduar Perëndimin është më i madh se vullneti i Perëndimit për të rezistuar. Është koha për t’ia dëshmuar se e ka gabim”, thuhet në analizën e publikuar në The Telegraph.
/TV Arbëria