Diskutimet për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, ku ndalohet përdorimi i dinarit në Kosovë do të vazhdojnë edhe javën e ardhshme në kuadër të dialogut në Bruksel.
Në partinë në pushtet thonë se diskutimet po bëhet për të gjetur forma për zbatimin në tërësi të vendimit për dinarin, e jo për të ndryshuar.
Ndërkaq, partitë opozitare e konsiderojnë të gabuar qasjen e qeverisë në këtë temë, derisa kritikojnë se çështjet e brendshme të Kosovës i ka bërë temë të dialogut me Serbinë në Bruksel.
Deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli thotë për KosovaPress, se rregullorja e BQK-së, është e pakthyeshme dhe se nuk do të ndryshohet vendimi për dinarin.
Sipas saj, diskutimet në Bruksel po bëhet vetëm për të gjetur forma për tejkalimin e vështirësive që janë paraqitur qytetarëve serbë në Kosovë.
“Tashmë vendimi është marrë dhe vendimi i Bankës është i pakthyeshëm, sepse është institucion i pavarur dhe ne nuk mund të intervenojmë apo ndryshojmë. Bisedimet po bëhen për të gjetur alternativa për ta implementuari vendimin dhe jo për ta ndryshuar…Alternativat janë që të gjejmë forma qysh qytetarët të cilët kanë hasur në vështirësi të mos i kenë ato dhe të implementohet vendimi pa probleme”, thotë Pacolli.
Por deputeti i PDK-së, Ferat Shala ka kritikuar Qeverinë e Kosovës se çështje të brendshme të Kosovës, i ka bërë temë në dialogun e Brukselit.
Sipas tij, çështja e dinarit duhet të rikthehet brenda institucioneve dhe të gjendet një zgjidhje tranzicioni për qytetarët serbë në Kosovë.
“Qeveria e Kosovës jashtë çdo logjike politike, institucionale, legjislative, ligjore, çështjet e brendshme i ka bartur në Bruksel. Çështja e dinarit është dashur dhe duhet të rikthehet, të zgjidhet brenda institucioneve tona, brenda mandatit legjislativ dhe jo të bartet si problem ndërkombëtar.