Shkruan: Afrim Kasolli- Si në alternativën qeverisëse të Vetëvendosjes, ashtu edhe në programin qeveritar, kryeministri Albin Kurti kishte premtuar se e ka për mision dhe qëllim kryesor, përgatitjen e padisë për gjenocid kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Mirëpo, kur jemi në vitin e fundit të qeverisjes së tij, ky projekt as që duket në horizont. Për më tepër, me kalimin e kohës ai është pajtuar publikisht për Marrëveshjen bazike të Brukselit të vitit të kaluar, sipas planit franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, në të cilën shkruan se palët dakordohen “për të kontribuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale dhe për të kapërcyer trashëgimin e së kaluarës” . Formulim ky, që qëndron në kundërshtim flagrant në raport me premtimet e brendshme elektorale.
Ndërkohë, për të shmangur presionin publik për shkak të mos realizmit të këtij premtimi, kryeministri Kurti, si duket ka filluar që përgjegjësinë për këtë temë ta kërkojë dikund tjetër. Në një sërë prononcimesh, ai ka hedhur kritika ndaj Prokurorisë Speciale për neglizhencën, sipas tij, për mos adresimin e krimeve të luftës në mënyrë me efikase.
Në funksion të këtij qëllimi “tashmë ka ndodhur “dryshimi i kodit të procedurës penale, që mundëson që kriminelët e luftës së fundit në Kosovë të gjykohen edhe dënohen në mungesë. Është e rëndësishme që të kemi sa më shumë punë dhe aktivitet për zbardhjen e fatit të pagjeturve. Edhe për gjykimin e dënimin e kriminelëve. Për këtë si qeveri në detyrë jemi në gatishmëri maksimale, por është koha që edhe Prokuroria Speciale të thotë fjalën e vet dhe të bëj punën e vet”, ka pohuar ndër të tjera Kryeministri Kurti.
Nuk ka dyshim se Prokuroria Speciale duhet ta kryejë punën dhe detyrën e saj në këtë drejtim. Por po ashtu nuk duhet harruar fakti se procesi juridik i hetimit dhe dënimit të krimineleve të luftës është krejt tjetër nga padia për gjenocid ndaj Serbisë. Prandaj, duke e mbajtur fokusin vetëm te (mos)puna e sistemit juridik, duket sikur kryeministri Kurti po tenton ta hesht dështimin e tij për mos adresimin e padisë ndaj Serbisë për gjenocid ndaj Kosovës, ashtu siç kishte premtuar. E kjo e fundit nuk ka të bëjë me raste individuale, por me dënimin e gjykimin e një shteti për krimin dhe gjenocidin sistematik ndaj një populli.
Në fund të fundit, ndërkombëtarisht ky fakt qëndron si parim fonditor për shtetin e Kosovës. Siç dihet, Kosova e fitoi të drejtën për të qenë e pavarur, emisari i posaçëm i OKB-së, ish-Presidentit Martti Ahitisari, pas negociatave të Vjenës në koherncë me njërin nga postulatet e njohura të Imanuel Kant-it, sipas të cilit “gjatë një konflikti nuk guxon të ndodhë diçka që do ta bënte të pamundur pajtimin pas përfundimit të tij”, deklaroi se “duke marrë parasysh sjelljen e shtetit serb ndaj qytetarëve shqiptarë të Kosovës në të kaluarën, atëherë çdo opsion tjetër pos pavarësisë do të ishte i pamundur”.
/TV Arbëria