Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Ekonomi > ​Rafuna: Miliona euro të humbura nga sanksionet e BE-së

​Rafuna: Miliona euro të humbura nga sanksionet e BE-së

Masat e Bashkimit Evropian, rënia e eksporteve, zbehja e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë disa nga faktorët që kanë ndikuar jashtëzakonisht shumë në dëmtimin e ekonomisë së Kosovës. Kështu vlerëson kryetari i Odës Ekonomike (OEK), Lulzim Rafuna, i cili i bën thirrje Qeverisë së Kosovës të punojë në këtë drejtim, dhe të koordinohet me miqtë ndërkombëtarë për çdo vendim që merr, në të kundërtën vendi po humb miliona euro.

Rafuna konsideron se moskoordinimi me komunitetin ndërkombëtar lë gjurmë për vendin dhe dëmton imazhin e Kosovës.

Rafuna: Nuk është mesazh i mirë moskoordinimi me miqtë tanë ndërkombëtar

“Nuk është mirë që nuk jemi të harmonizuar me komunitetin ndërkombëtar, për imazhin e Kosovës kjo nuk është e mirë. Pa dyshim që lë gjurmë dhe nuk është mesazh i mirë moskoordinimi me miqtë tanë ndërkombëtar, sidomos me ata që kanë qenë pjesë e historisë së suksesit të zhvillimit të shtetit tonë të Kosovës. Kërkesa jonë si odë është që para çdo vendimi që merret të ketë koordinim dhe bashkëveprim me gjithë miqtë tanë ndërkombëtar, duke filluar me ShBA-të dhe ato të BE-së. Kemi nevojë të ndryshojmë imazhin e Kosovës, dhe nuk mund ta bëjmë këtë duke kundërshtuar, por vetëm duke qenë të harmonizuar me miqtë tanë, të cilët janë edhe më meritoret që Kosova ka arritur deri në këtë zhvillim”, thotë Rafuna.

Në anën tjetër, sfidë për vendin, Rafuna thotë se përveç projekteve kapitale të cilat janë paraparë me ligjin e buxhetit, është edhe pengesa shumë e madhe me pezullimin e projekteve, shuma e të cilave ka shkuar mbi 300 milionë, që kanë ardhë si rezultat i masave ndëshkuese që ka marrë Kosova.

Rafuna: 300 milionë euro është vlera e parasë si shkak i masave ndëshkuese që ka marrë Kosova

Përveç projekteve kapitale të cilat janë paraparë me ligjin e buxhetit, ne kemi edhe një pengesë shumë të madhe, e cila është bllokimi ose pezullimi i projekteve që ka shkuar vlera tani mbi 300 milionë, që kanë ardhë si rezultat i masave ndëshkuese që ka marrë Kosova.Ne po jemi të goditur jo vetëm nga ana e projekteve ndërkombëtare që kanë qenë të parapara për investime kapitale dhe për ngritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve, por ne po jemi biznesi, sektori privat edhe nga qeveria për shkak të mos shpenzimit të së paku atyre projekteve që janë të parapara në ligjin e buxhetit dhe të cilat kanë kaluar me ligj nëpërmjet Kuvendit. Kjo kish me qenë infuzion i madh për sektorin privat, për bizneset tona. Kështu, duhet Qeveria me urgjencë së paku projektet të cilat janë të parapara në buxhet të vitit 2024, t’i implementojë në mënyrë sa më efikase dhe në përputhje me gjitha dispozitat ligjore”, thotë Rafuna.

Për t’i ndihmuar bizneseve, Rafuna thotë se si odë po punojnë që të sjellin sa më shumë tregje të huaja në vend. Ai thotë se për këtë, janë përqendruar edhe tek vendet arabe dhe me tregun e ShBA-ve. Nëpërmjet këtyre vizitave, ai thotë se po mundohen të përçojnë mesazh te investitorët që duan të investojnë këtu, që Kosova nuk është vend i luftës, por i paqes.

Rafuna: Biznese nga vendet arabe dhe ato të SHBA-së do të vizitojnë Kosovën

“Kishim delegacionin nga Arabia Saudite, jemi përqendruar edhe nga vendet arabe sepse është një treg i cili është duke u hapur më të madhe dhe tani do ta kemi shumë shpejtë edhe një delegacion prej Katarit, Bahrain, por do të kemi edhe prej Dubai që do t’i sjellim në Kosovë. Qëllimi i vetëm nuk është t’i takojmë me biznesin, ai është strategjik dhe primar, por qëllimi është edhe ta promovojmë Kosovën, të vinë të shohin që në Kosovë nuk është një vend ku zhvillohet luftë, por një vend i qetë, e stabil dhe i sigurtë për të bërë investime. Nëpërmjet kësaj edhe po përçojmë mesazh te investitorët tjerë që nuk kanë mundësi me qenë prezent këtu, mirëpo mund të vinë dhe të investojnë…13:50 Përveç me tregun e vendeve arabe, jemi duke punuar edhe me ShBA-të, dhe tani së fundmi kemi lidhur një marrëveshje me Odën e Richengemit, ku do ta kemi një delegacion në muajin qershor të bizneseve prej ShBA-ve, që do vinë për të parë mundësinë që të investojnë në Kosovë, por edhe për të bashkëpunuar me bizneset tona”, vijon Rafuna.

Ndërsa, sa i përket rënies së eksportit, Rafuna thotë se duhet të merren masa që të ndihmohet prodhimtaria. Ai kërkon nga institucionet përgjegjëse që të ngrisin zërin si në rajon, por edhe në tregun e BE-së, në mënyrë që produktet të depërtojnë sa më shumë.

Rafuna: Institucionet përgjegjëse të lobojnë edhe në tregun e BE-së

“Duhet të merren masa që të ndihmohet prodhimtaria, duhet të ndihmohet edhe nëpërmjet ministrave, dikastereve të ndryshme që të lobojnë por edhe të ngrisin zërin si në rajon, po ashtu edhe në tregun e BE-së, në mënyrë që produktet tona të depërtojnë sa më shumë. Duhet Kiesa, Ministria e Punëve të Jashtme, edhe Agjencioni për promovimin e investimeve, që ende nuk është bërë i plotë, funksional, duhet të bëjnë punën e tyre sa më mirë që është e mundur në mënyrë që të promovohen sa më shumë produktet tona, por edhe të lobojmë që të gjejmë treg të ri”, thotë Rafuna.

Sipas statistikave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, eksporti i mallrave në muajin janar 2024, kishte vlerën 60.3 milionë euro, ndërsa importi 380.0 milionë euro, që është një rënie prej -3.0 për qind për eksport, si dhe një rritje prej 7.4 për qind për import, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023.

Powered by WordPress