Në Komitetin për politikë dhe demokraci të Këshillit të Evropës, sot pritet të votohet raporti për Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u ka thënë për media, se Kosova ka bërë gjithçka që është pritur nga ajo dhe ka ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshme në mënyrë që shtetet dhe deputetët ta përkrahin këtë anëtarësim.
Duke pritur rezultatin me shpresë, Osmani ka shtuar se kjo është kauzë jo vetëm e shtetit por edhe ndaj qytetarëve të Kosovës, të cilët mbesin të vetmit evropianë pa qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ajo ka komentuar edhe letrën që ajo së bashku me kryeparlamentarin Glauk Konjufa dhe kryeministrin, Albin Kurti i kanë dërguar raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakojanis, ku janë zotuar se do t`i zbatojnë të gjitha masat që i kërkohen Kosovës pasi të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës, e ku përfshihet edhe Asociacioni i Komunave me shumicw serbe.
Sot nga ora 14:00, do të mblidhet Komiteti për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës, ku pritet të votohet raporti i Dora Bakojanis, raportuese për Kosovën në KiE, teksa në Kosovë presin që raporti të marrë dritën e gjelbër dhe të kalojë për shqyrtim në Asamblenë Parlamentare, i cili do t’i hapte rrugë më pas vendimit final nga Komiteti i Ministrave të Punëve të Jashtme.
Inkuadrimi i Kosovës në këtë trup është riaktualizuar në javët e fundit, pasi, me kërkesën e Qeverisë së Kosovës drejtuar Agjencisë Kadastrale për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, është përmbushur njëri nga kushtet kryesore për anëtarësim.