Pranimi eventual i Kosovës në Këshill të Evropës, ashtu siç pritej, u shoqërua me reagime të ashpra në Serbi. Presidenti i këtij shteti, Aleksandër Vuçiq, përpos që e ka e përqeshur këtë organizatë si të kotë dhe që nuk vendos për asgjë, ka kërcënuar se në rast se kalon me sukses anëtarësimi i Kosovës, atëherë Serbia do ta shqyrtojë mundësin e daljes nga kjo organizatë evropiane që merret me të promovimin e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit.
Kjo politikë agresive e Beogradit për ta penguar me çdo kusht rrugëtimin e Kosovës drejt Këshillit të Evropës, përpos që është shprehje e synimit strategjik të Serbisë për ta mbajtur të bllokuar konsolidimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës, megjithatë e shpreh edhe hipokrizinë e atij shteti se gjoja përkujdeset për mbrojtjen e të drejtave të serbëve të Kosovës. Në fakt ajo këta të fundit i konsideron vetëm si material për ta minuar nga brenda shtetin e Kosovës.
Prandaj edhe me anë të kësaj qasje Beogradi angazhohet që ata të mos fitojnë mbrojtje shtesë ndërkombëtare në funksion të drejtave të serbëve lokalë në Kosovë. Sepse nga ky bllokim ata nuk mund të kërkonin mbrojte individuale nga shkeljet eventuale që mund të bënte sipas tyre shteti i Kosovës përtej Beogradit, dhe në këtë mënyrë do të detyrohen ta pranojnë këtë të fundit si instancën finale për fatin e tyre kolektiv, ashtu edhe siç është manipuluar deri më tani. Për më shumë, që nga fundi i viteve ’80 shpërdorimi i kësaj kauze e ka ushqyer nacionalizmin hegjemonik serb.
Pra, sot Serbia e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ngase siç shkruante para pak dite REL, pikërisht nga integrimi në këtë organizatë ndërkombëtare përfitojnë edhe minoritetet e një shteti. Në këtë mënyrë, shtohet mundësia për mbrojtje, sikurse mundësia që [ato] t’i drejtohen Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si mekanizëm ligjor etj etj.
Në këtë kontekst, Serbia duke dalur kundër këtij procesi, ajo synon që t’i privojë serbët e Kosovës nga mekanizma shtesë juridikë ndërkombëtarë.
/TV Arbëria