Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Ish-diplomati amerikan Shaun Byrnes, shokon me mënyrën se si përceptohej UÇK nga Albin Kurti, Veton Surroi dhe Blerim Shala

Ish-diplomati amerikan Shaun Byrnes, shokon me mënyrën se si përceptohej UÇK nga Albin Kurti, Veton Surroi dhe Blerim Shala

Ish shefi i misionit vëzhgues diplomatik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë (SHBA), Shaun Byrnes, i cili po dëshmon në Hagë në gjyqin kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka deklaruar në një moment gjatë dëshmisë së tij se Albin Kurti, Veton Surroi apo Blerim Shala, njëri preh tyre, i kishte thënë në kohën e luftës së UÇK-ja është një grup fshatarësh rebelë që janë ngritur kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ata, tregon Byrns, i kishin folur për ndasitë që ekzistojnë në mes të shqiptarëve të Prishtinës dhe shqiptarëve të Drenicës, kur i kishin folur për UÇK-në.

“Njëri prej tyre (Kurti, Surroi, Shala) më tha, në një pikë dhe kjo është diçka që nuk do të harroj kurrë, e kam ngulitur në mendje që ‘UÇK-ja përfaqësonte një njësi ose grup rebelësh fshatarësh kundër LDK-së. Dhe, të tjerët janë përfaqësues urbanë qytetarë dhe të sofistikuar që përfaqësoheshin nga presidenti Rugova”, tregon Byrns.

Avokati e pyet amerikanin se “Kush e ka thënë këtë gjë?”.

Por, ai nuk kujtohej saktësisht.

“Nuk më kujtohet personi konkret kush e ka thënë këtë gjë, megjithatë e ka thënë njëri prej këtyre intelektualëve të rinj me të cilët ne bisedonim dhe i njohëm në qytet”.

Pjesa e plotë e transkriptuar:

Byrns: “Ne po përpiqeshim të mblidhnim sa më shumë informacion për UÇK-në dhe e vetmja perspektivë që kishim ne në atë kohë ishte fakti që ekzistonte një grup në Drenicë që ishte UÇK. Ne nuk kishim asnjë lloj kontakti tjetër me ata që më pas na rezultuan që ishin zona, ne nuk e dinim”.

Avokati: “Ky informacion mbështet tek ajo që iu kanë thënë persona të tjerë në Prishtinë, apo jo? Ky ishte burimi i juaj i informacionit, mbi këtë mbështeteshit ju?. Pra kjo ndarje ndërmjet Drenicës dhe Prishtinës, ky informacion ju kishte ardhur nga këta njerëzit e sofistikuar që ju thoni?”.

Byrns: “Kjo vjen nga ky grupi më i fundit, domethënë grupi që ishin kryesisht të rinj, shqiptarë të Kosovës të mirë edukuar, gazetarë, presona si për shembull Blerim Shala, Veton Surroi i Kohës Ditore, presona të kësaj natyre. Albin Kurti po ashtu, i cili në atë kohë punonte për Adem Demaçin. D.m.th e kam fjalën për persona të tillë. Njëri prej tyre, më tha, në një pikë dhe kjo është diçka që nuk do të harroj kurrë, e kam ngulitur në mendje: Ata flisnin për ndasitë, për dallimet tradicionale, kulturore ndërmjet Drenicës dhe Prishtinës. Prishtina ishte qendra tregtare dhe institucionet qeveritare, aty gjendej edhe Universiteti i Prishtinës, në njëfarë kuptimi ishte qendra e kulturës së lartë të vendit, ndërkohë sa i takon Drenicës, Drenica ishte një zonë e largët në disa kuptime në atë kohë, që sipas mendimit të tyre, përbëhej kryesisht, ose dominohej nga fshatarë. Megjithatë, njëri prej këtyre personave, në këtë kontest bisede tha që ‘UÇK-ja përfaqësonte një njësi ose grup rebelësh fshatarësh kundër LDK-së. Dhe, përfaqësues urbanë qytetarë dhe të sofistikuar që përfaqësoheshin nga presidenti Rugova’”.

Avokati: “Kush e ka thënë këtë gjë?”.

Byrns: “Nuk më kujtohet personi konkret kush e ka thënë këtë gjë, megjithatë e ka thënë njëri prej këtyre intelektualëve të rinj me të cilët ne bisedonim dhe i njohëm në qytet”. /Albanian Post/

Powered by WordPress