Shkruan: Afrim Kasolli
Letra e publikuar nga gazeta Nacionale para pak dite, ku liderët shtetërorë të Kosovës, sikur se presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe krye parlamentari Glauk Konfjufca, zotohen dhe betohen se do ta themelojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, para diplomates greke, Dora Bokojanis, por në të njëjtën kohë, refuzojnë që ta bëjnë një gjë të tillë ndaj thirrjeve të SHBA-së, vetëm sa e dëshmon edhe më shumë qasjen e kësaj qeverie për ta përjashtuar SHBA-në nga procesi i dialogut dhe për ta reduktuar atë vetëm në çështje të eurokratëve të Brukselit.
Këtë paradoks e ka dëshmuar edhe intervista e para pak ditëve e të dërguarit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për Ballkanin Perëndimor Gabriell Escobar, i cili deklaroi se SHBA-të nuk kanë marrë asnjë premtim nga Kurti për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
E një sjellje e tillë e Qeverisë së Kosovës, në politikën e jashtme duket të mos jetë e rastësishme. Në këtë mënyrë mbase po finalizohet besimi i kahershëm politik i kryeministrit se çështja e Kosovës është vetëm çështje evropiane sepse “ajo nuk është Meksikë”. Madje kjo nuk është hera e parë që ky pushtet bënë veprime të tillë. Ai u ka premtuar edhe para pak kohe vetëm evropianëve se do ta themelojë Asociacionin. Dhe këtë e kishte bërë pas sulmit terrorist dhe paramilitar të grupeve të armatosura nga Serbia në fshatin Banjë të veriut, ku mbeti i vrarë polici, Afrim Bunjaku.
Të gjithëve na kujtohet se pas kësaj ngjarje ishte mbajtur Samiti i BE-së në Bruksel. Dhe në margjina të këtij takimi kryeministri Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuqiç, ndaras nga njëri-tjetri, ishin takuar me liderët kryesorë të shteteve evropiane, sikur se presidentin francez, Emmanuel Macron, kancelarin gjerman, Olaf Scholz, kryeministren italiane, Giorgia Meloni, shefin e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell dhe të dërguarin e Brukselit për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajcak. Madje, nga ky takim kishte dalur edhe draft-statuti aktual i Asociacionit. Ndërkohë, pak pas përfundimit të këtij Samiti, kancelari i Gjermanisë O. Scholz, pohoi se gjatë takimeve që drejtuesi i Qeverisë së Kosovës ka pasur me ta, u ka premtuar se do ta themelojë këtë entitet. Kurse pas kthimit në Kosovë, kryeministri i kishte thurur elozhe këtij draft-statuti duke e konsideruar si një dokument që më në fund e ndërpret trashëgiminë mosnjohëse të Serbisë ndaj Kosovës.
Këto lëvizje të Kryeministrit mbase edhe rrjedhin edhe nga obligime që ai ka ndaj shteteve të veçanta evropiane dhe atë kryesisht ndaj Gjerminisë, të cilat ne nuk i dimë. Sepse, involvimin e këtij shteti në favor të pushtetit aktual e ka dëshmuar disa herë edhe ish-lideri dhe ish-kryeministri i Kosovës Isa Mustafa. Madje në një rast ai kishte deklaruar se zv.Ambasadori i Gjermanisë ushtronte presion mbi lidershipin e LDK-së, që të bënte koalicion patjetër me Vetëvendosjen dhe po ashtu, që kjo parti të distancohej nga SHBA-të, sepse sipas tij tashmë Evropa duhet ta fitonte autonominë strategjike në raport me Uashingtonin. Vetëm invazioni rus i Ukrainës dëshmoi se sa të pabaza kanë qenë iluzione të tilla.
Ndërkohë në anën tjetër, nuk është se dialogu Kosovë-Serbi, për një kohë të gjatë nuk ka qenë nën në menaxhimin komplet të evropianëve dhe ku amerikanët kanë pasur një rol minimal politik dhe diplomatik. Kjo ka ndodhur veçanërisht në kohën e administratës së ish-presidentit Barack Obama. Por ishte pikërisht kjo kohë, kur Kosova më shumë se asnjë herë tjetër u godit në aspektin diplomatik dhe u forcua Serbia. Sepse po ashtu ishte koha e lulëzimit ekonomik dhe biznesor të Berlinit të drejtuar nga Angela Merkel me Moskën e Putinit. Kurse falë kësaj “aleance blasfemike” ndërmjet një shteti demokratik dhe autoritar, përfitoi jo pak edhe Serbia. Kjo e fundit mori një pozicion të privilegjuar ekonomik për shkak të investimeve gjermane në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Për më shumë se sa naive është shpresa se shtetet evropiane duhet të kenë një rol më primar në zgjedhjen e konfliktit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e dëshmoi edhe dje njëri nga diplomatët më të njohur të Ausutrisë, Wolfang Petritsch, kur deklaroi se “ShBA deshi t’i çonte aeroplanët menjëherë pas Recakut, por ne evropianët kërkuam negociata” Asgjë e jashtëzakonshme. Sjellje tipike evropiane. Negociata dhe bisedime të pafund, por pa ofruar asnjë zgjidhje konkrete.
/TV Arbëria