Liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian zhvillojnë të enjten dhe premten në Bruksel samitin e radhës, në të cilin, mes shumë temave tjera, do të jetë edhe procesi i zgjerimit.
Temat kryesore të këtij samiti kanë të bëjnë me vazhdimin e ndihmës së Ukrainës që të përballet me agresionin e Rusisë, me situatën në Lindjen e Mesme, me forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes së BE-së dhe me përgatitjen e bllokut për zgjerimin e ardhshëm.
Pritet që gjatë këtij samiti, liderët e BE-së të japin dritën e gjelbër për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën, sipas një rekomandimi të bërë nga Komisioni Evropian para dhjetë ditësh. Një vendim i tillë është përfshirë në draftin e konkluzave që do të duhet ta miratojnë liderët në këtë samit, draft të cilin e ka siguruar edhe Radio Evropa e Lirë.
“Bazuar në rekomandimin e Komisionit Evropian nga 12 marsi i vitit 2024, Këshilli Evropian vendos të hapë negociatat e anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën. Këshilli Evropian fton që të miratohet korniza negociuese kur të ndërmerren hapat relevantë të caktuar, në rekomandimet e Komisionit nga 12 tetori i vitit 2022”, thuhet në draftin e këtyre konkluzave.
Sipas këtij formulimi, nëse liderët do të miratonin vendimin, atëherë nisja e negociatave do të varej nga miratimi i kornizës negociuese, pasi Bosnje e Hercegovina të përmbushë kriteret e caktuara. Miratimi i kornizës është i domosdoshëm për të nisur negociatat e anëtarësimit me një shtet kandidat. Këshilli Evropian është niveli më i lartë i BE-së, ai i shefave të shteteve apo qeverive të vendeve anëtare. Ndërsa Këshilli i BE-së është niveli i ministrave dhe nivelet tjera. Sa i përket temave tjera të zgjerimit, në këto konkluza do të përmenden vetëm Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia. Aty po ashtu përmendet edhe nisja e debatit të brendshëm në BE për reformat në prag të zgjerimit.
“Këshilli Evropian shqyrtojë përgatitjet për zgjerim dhe reformave të brendshme duke rikujtuar se në të dy binarët duhet të avancohet paralelisht, për të siguruar që edhe vendet e ardhshme anëtare edhe BE-ja të jenë gati me kohë për anëtarësim. Këshilli Evropian do të adresojë reformat e brendshme në takimin e radhës me synimin që të miratojë deri në verën e vitit 2024 konkluzat për udhërrëfyesin për punën në të ardhmen”, thuhet në këtë draft./REL/