Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Komisioni i Edukimit ratifikon marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Kosovës për Arsimin

Komisioni i Edukimit ratifikon marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Kosovës për Arsimin

Komisioni i Edukimit dhe Informimit Publik ratifikoi të martën marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e arsimit. Marrëveshja ka në fokus forcimin e bashkëpunimit, duke nxitur shkëmbimet e eksperiencave më të mira.

Projektligjin tek Komisioni për Edukimin dhe Informimin Publik e paraqiti zv/ministrja e Arsimit Ana Kapaj. Sipas marrëveshjes, “palët do të mbështesin një bashkëpunim aktiv të institucioneve të tyre në kuadrin e programeve arsimore të Bashkimit Evropian, të Këshillit të Evropës dhe të UNESCO-s. Palët do të inkurajojnë dhe do të mbështesin një pjesëmarrje të gjerë të mësimdhënësve, ekspertëve dhe kërkuesve shkencorë në seminare, simpoziume dhe konferenca ndërkombëtare të organizuara nga palët dhe do të bashkëpunojnë ngushtë në trajnimin e tyre”.

“Kjo marrëveshje mbështet shkëmbimin e vazhdueshëm të informacionit për organizimin e institucioneve arsimore dhe të kërkimeve shkencore në Republikën e Shqipërisë e në Republikën e Kosovës. Bazuar në këtë marrëveshje, neni 6 parashikon inkurajimin e lëvizshmërisë së studentëve në të dyja vendet. Kandidatët e interesuar aplikojnë brenda njësive përgjegjëse të secilit vend, të cilat përcaktojnë kriteret dhe modalitetet për administrimin e aplikimeve dhe përzgjedhjen e tyre. Palët do të ofrojnë bursa për studime, sipas kritereve të përcaktuara nga kuadri ligjor i secilës palë. Shuma totale e bursës për të dyja nivelet e arsimit të lartë do të jetë 1000 euro për vit akademik për secilin përfitues”, bëhet me dije në marrëveshje”, u shpreh Kapaj.

/TV Arbëria

Themes by WordPress