Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > “Rilegjitimimi demokratik” i Tiranit

“Rilegjitimimi demokratik” i Tiranit

 Shkruan: Afrim Kasolli

 

“Disa njerëz krijojnë varësi nga duhani. Disa të tjerë nga drogat. Disa jepen pas parave. Por thonë se varësia me e rëndë është nga pushteti”. Këtë konstatim “psiko-politik” në fillim të mandatit të tij në vitin 2000, nuk e kishte bërë askush tjetër, pos njeriu që dje korri një “fitore” spektakulare, më një rezultat prej 87.32 përqind, në zgjedhjet presidenciale që u mbajtën në Rusi. Në këtë mënyrë, Vladimir Putin, pritet të jetë lideri më jetëgjatë në Rusi kur të përfundojë ky mandat, duke ia tejkaluar kështu edhe ish-liderit totalitar të Bashkimit Sovjetik, Josef Stalinit.

Kjo mbështetje “plebishitare” për ish-agjentin e KGB-së, nuk ka qenë befasi, në një shtet kur opozita nuk ekziston dhe kur sipas narracionit zyrtar të Kremlinit ndodhet në një luftë heroike kundër një armiku të madh siç është Perëndimi. Sepse Putin deri më tani ka manipuluar me tezën se nuk është duke luftuar kundër popullit Ukrainës, por kundër kukullave perëndimore që ndodhen në krye të atij shteti dhe që sipas tij paraqesin rrezik për sigurinë nacionale të shtetit rus. Kurse qëllimi i këtij operacioni special, nuk është asgjë tjetër, por “demilitarizimi dhe denazifikimi i Ukrainës”

 

Gjatë karrierës së tij të gjatë politike, fillimisht Putin e kishte maskuar vetën si apologjet i liberalizmit dhe respektimit të rendit ndërkombëtar që kishte dalur pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Por “muaji i mjaltit”, filloi të shndërrohet në një atmosferë të helmatisur, që nga konferenca e sigurisë në Munih të Gjermanisë,  në vitin 2007, kur ai i kritikoi SHBA-të për monopolin e tyre dominues në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kurse kolapsin e Bashkimit Sovjetik e kishte quajtur si një katastrofë gjeopolitike. Duke e transmetuar kështu mesazhin se nuk do të lejojë që të preken “interesat vitale ruse”. Kështu destabilizimi i Gjeorgjisë, pas ftesës që mori nga NATO, në samitin e Bukureshtit për të qenë vend anëtar, por edhe krijimi i krizave ndëretnike në shtete si Moldavia do të jenë disa nga instrumentet e tij për t’iu kundërvënë planeve të zgjerimit të Aleancës Veri-atlantike dhe Bashkimit Evropian drejt Lindjes. Pa dyshim sfidimi më brutal i rendit ndërkombëtar ndodhi me rastin e luftës pushtuese në Ukrainë të filluar këtu e dy vjet më parë.

 

Në këtë kontekst, kjo fitore politike e Putinit, po vjen në një kohë, kur armiqësia me Perëndimin është me madhe se kurrë me parë në historinë e këtij shteti, që nga rënia e komunizmit, për shkak të kësaj lufte. Mirëpo rënia e qytetit të Avdikës dhe Bakhmutit, para pak kohe, e kanë bërë gjithnjë e me të errët mundësinë e suksesit të trupave ukrainase për ta ndalur marshimin e ushtrisë ruse përgjatë frontit deri në 1000 km. Natyrisht, këto suksese ushtarake kanë ndodhur mbi një çmim të madh njerëzor. Sipas të dhënave të agjencive sekrete amerikane, Rusia deri më tani ka humbur mbi 315. 000 trupa ushtarake.

 

Sidoqoftë se cili do të jetë bilanci i këtij konflikti është ende herët të spekulohet. Megjithatë nuk mund të mohohet fakti se ai tashmë e ka riformësuar rendin gjeopolitik të pas Luftës së Ftohtë.  Sic shkruan CNN, bota e Carit të Kremlinit është ngushtuar tej mase. Pas urdhër arrestit nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, si i akuzuar për krim lufte, ai nuk mund të shkel në më shumë se 100 shtete të botës sepse mund të arrestohet. Mirëpo nga kjo luftë ai ka krijuar lidhje të reja dhe i ka forcuar edhe më shumë miqësitë e deritanishme sikur se me Kinën, Korën e Veriut dhe Iranin. Kurse sanksionet e vendosura nga shtetet perëndimore nuk kanë krijuar rezultate të pritura.

 

Nën peshën e këtyre ngjarjeve 71 vjeqari, nominalisht do të sundojë deri në vitin 2030 kur do të jetë 77 vjeç. Gjatë kësaj kohe bota do të jetë edhe më pasigurt dhe me mundësi që sa më shumë që i afrohet vdekjes së natyrshme biologjike aq më i tërbuar do të jetë.

Natyrisht, shumë kush mund ta kontestojë këtë pandehmë si “spekulative” me kundër argumente, se pse bie fjala presidenti Joe Biden, apo liderë tjerë perëndimorë që ndodhen në moshë edhe me të shtyer se sa Putini, nuk po manifestojnë sjellje të tilla. 

 

Mirëpo, këtu duhet pasur parasysh një rol tjetër të pamohueshëm që e luajnë strukturat shoqërore në formimin e karakterit të individit. Dhe ky dimension social, psikologjik dhe moral i shoqërisë amerikane ndryshon rrënjësisht nga ai i shoqërisë ruse. Këtë dallim e kishte detektuar në mënyrë profetike, Alkeksi de Tokëvill, këtu e tre shekuj me parë, në librin e tij emblematik “Demokracia në Amerikë”. Ky historian tregonte se si “Anglo-amerikani lufton me shkretëtirën dhe jetën e egër, i dyti me qytetërimin dhe të gjitha armët e tij. Pra, i pari korr fitoret me plug (inovacion), i dyti me shpatë. Anglo-amerikani mbështet interesin vetjak për t’i arritur qëllimet e tij dhe i hap fushë të lirë sensit të përgjithshëm të popullit, rusi e përqendron gjithë autoritetin e shoqërisë në një dorë. Mjeti i të parit është liria, i të dytit skllavëria”.

Prandaj, mbase në këtë substrat duke kërkuar arsyet e thella se pse shoqëria amerikane historikisht ka prodhuar George Washington, një lider që e vendosi një standard të padëgjuar më parë në histori, kur pas përfundimit të mandatit të dytë si president, refuzoi të kandidoi përsëri, Thomas Jefferson, Woodroë Wilson, Franklin d Roosevelt e shumë shtetarë të tjerë, që i kontribuuan avancimit të kauzës së lirisë për vendin e tyre dhe njerëzimin. Kurse, shoqëria ruse, për shkak të atij sfondi shoqëror të sipër cekur, deri më tani është e njohur në afirmimin liderëve sikur Ivani i Tmershëm, Lenini, Stalini, e deri te Putini, që siç e ka thënë edhe vetë në vitin 2000 bien pre e varësisë më të rëndë të mundshme, asaj nga pushteti.

/TV Arbëria

Powered by WordPress