Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Pak alternativa për qytetarët e veriut në zgjedhjet e reja për kryetar të komunave

Pak alternativa për qytetarët e veriut në zgjedhjet e reja për kryetar të komunave

Qytetarët e komunave veriore me shumicë serbe po i afrohen ditës kur do të votojnë për shkarkimin e kryetarëve. Nëse kjo ndodhë, serbët vlerësohet se kanë pak alternativa në mesin e partive serbe.

Pas pak më shumë se një muaji, qytetarët e katër komunave veriore do t’u drejtohen kutive të votimit, por për të zgjedhur udhëheqësit e tyre.

Përkundrazi, ata do të votojnë për shkarkimin apo jo të kryetarëve aktualë nga partitë shqiptare, të cilët serbët nuk i pranojnë për udhëheqës.

Por, nëse ata shkarkohen, gazetari dhe analisti serb Branislav Krstiq thotë se pasuesit e tyre nuk do të punonin për interesat e qytetarëve serbë.

“Më mirë të kemi zotri Hetemi atje në Leposaviq se atë zgjidhje ku që na vjen dikush nga Lista Serbe për të cilin e kemi vertetu që nuk janë duke mbështetur interesat e komunitetit serb”, tha Branislav Krstiq, analist.

Madje, sipas Krstiqit, ka një refuzim prej partive tjera të jenë pjesë e këtij procesi.

“Shumica e opozitarëve nuk janë të interesuar të aplikojnë në ato zgjedhjet e ardhshme nëse kalon referendumi për shkarkimin e kryetareve sepse flasim vetëm për kryetarin e komunës që d.m.th. ata do të presin një opsion tjetër që janë në vitin e ardhshëm”, tha Krstiq.

Votimi për shkarkimin e kryetarëve do të mbahet më 21 prill dhe për të qenë i suksesshëm kërkohet të paktën 50 % + 1 votë.

Por rruga ligjore që është zgjedhur për largimin e kryetarëve vazhdon të vlerësohet si kundër kushtetuese.

“Inicimi i këtij procesi përmes një udhëzimi administrativ që flet për iniciativë qytetare e dimë që adresimi ka qenë për veriun, ka qenë i paarsyeshëm, është kundërkushtetues dhe nëse vlerësohet nga gjykata kushtetuese me siguri që do të rrezohet për faktin që krijon një baze të re ligjore, jashtë rregullativës ligjore që flet për nivelin lokal dhe është një precedent i rrezikshëm sepse në të ardhmen mund të përdoret edhe nëpër komunat tjera”, tha Shemsi Jashari nga “Demokracia Fillon Këtu”.

Zgjedhjet prej nga dolën fitues kryetarë nga katër parti shqiptare në komunat Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan e Leposaviq, ishin mbajtur më 23 prill të vitit të kaluar./TV Dukagjini/

Powered by WordPress