Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kurti në 20 vjetorin e vdekjes viziton varrezat e tre fëmijëve që u mbytën në lumin Ibër

Kurti në 20 vjetorin e vdekjes viziton varrezat e tre fëmijëve që u mbytën në lumin Ibër

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot ka vizituar varrezat e tre fëmijëve që u mbytën në lumin Ibër pasi u ndoqën nga disa të rinjë të komunitetit serb.

Kurti ka thënë se ajo që ka ndodh ka ndodhur në një kohë e kontekst me përplot paqartësi për të ardhmen e vendit, pas luftës për të cilën plagët e kujtimet ishin ende shumë të gjalla teksa drejtësia për krimet, vuajtjet e dëmet e përjetuara nuk shihej asgjëkundi.

“Kosova nuk kishte përgatitjen institucionale që ka tani për të parandaluar apo depërshkallëzuar situatën. Vendi ishte nën administrim total ndërkombëtar. Polica e Kosovës që atëherë quhej Shërbimi Policor i Kosovës, përbëhej nga trupa që nuk ishin të pajisur për trazira të tilla. E megjithatë, disa pjesëtarë të Policisë treguan guxim duke rrezikuar jetën e tyre për të ndihmuar e mbrojtur serbë në shumë qytete dhe fshatra”, ka thënë ai.

“Qindra persona u plagosën, përfshirë këtu pjesëtarë të policisë vendore dhe asaj ndërkombëtare, qindra prona private e objekte të ndryshme u shkatërruan ose dëmtuan përfshirë edhe dhjetëra objekte kulturore dhe fetare. Hakmarrja dhe reagimi për ngjarjet e marsit u përcoll edhe në anën tjetër të kufirit, në Serbi. Dhunë pati në qytetet e Nishit dhe Novi Sadit. Shënjestër ishin shqiptarët dhe grupet tjera të pakicave. Edhe atje u shkaktuan dëme në prona private dhe objekte fetare e kulturore”, ka shtuar kryeministri Kurti.

Postimi i plotë:

Sot u bënë 20 vjet nga mbytja e tre fëmijëve në lumin Ibër në fshatin Çabër të Zubin Potokut. Katër fëmijë shqiptarë u ndoqën nga një grup i të rinjëve të komunitetit serb. Për të shpëtuar nga sulmi, ata u hodhën në lumin Ibër, prej nga i gjallë doli vetëm Fitim Veseli. Ndodhi kjo në një kohë e kontekst me përplot paqartësi për të ardhmen e vendit, pas luftës për të cilën plagët e kujtimet ishin ende shumë të gjalla teksa drejtësia për krimet, vuajtjet e dëmet e përjetuara nuk shihej asgjëkundi.

Lajmi për mbytjen në lum të Egzon Deliut, 13 vjeç, Avni Veselit, 12 vjeç, dhe Florent Veselit, 9 vjeç, u shpërnda rrufe dhe jehoi kobshëm në çdo cep të vendit. Protestat e qytetarëve në rrugë ishin përgjigjja e menjëhershme. Pa thirrje të organizuar e pa organizim në mbarëvajtje, ato shumë shpejt morën përmasa masive duke përfshirë gjithë Kosovën. E kur protesta është spontane e pa organizim, që ajo të jetë paqësore dhe e qetë duhet që secili pjesëmarrës të jetë paqësor e i qetë. Ndërsa për t’u bërë e dhunshme mjaftojnë vetëm një grusht i protestuesve të jenë të tillë. Dhe kështu ndodhi. Madje, fillimisht ato ishin të drejtuara kundër UNMIK-ut e, më pas, se kush i orientoi drejt vendbanimeve me serbë dhe kishave e manastireve ortodokse nuk u sqarua asnjëherë.

Në Mitrovicë u vranë gjashtë qytetarë: Fatmir Abdullahu, Ferid Çitaku, Isak Ibrahimi, Ajvaz Shatrolli, Jana Tuçe (nga Maqedonia e Veriut) dhe Borivoje Spasojeviq. Në Lipjan tre: Nenad Vesiq, Nevzat Rrahmani dhe Arben Shala. Në Gjilan një: Sllobodan Periq. Në Bellopojë një: Esat Tahiraj, nga Novosella. Në Dajkoc dy: Dobrivoje Stolliq dhe Borko Stolliq. Në Çagllavicë tre: vëllezërit Bujar dhe Kastriot Elshani nga Drenasi dhe një person i paidentifikuar. E në Ferizaj një: Alimuhamet Murseli. (Pra, nuk po i dijmë emrat e katër të vrarëve nga gjithsej 20, e nëse konsideroni që ka pasaktësi në emrat ekzistues, ju lutem na e thoni.)

Qindra persona u plagosën, përfshirë këtu pjesëtarë të policisë vendore dhe asaj ndërkombëtare, qindra prona private e objekte të ndryshme u shkatërruan ose dëmtuan përfshirë edhe dhjetëra objekte kulturore dhe fetare. Hakmarrja dhe reagimi për ngjarjet e marsit u përcoll edhe në anën tjetër të kufirit, në Serbi. Dhunë pati në qytetet e Nishit dhe Novi Sadit. Shënjestër ishin shqiptarët dhe grupet tjera të pakicave. Edhe atje u shkaktuan dëme në prona private dhe objekte fetare e kulturore.

Kosova nuk kishte përgatitjen institucionale që ka tani për të parandaluar apo depërshkallëzuar situatën. Vendi ishte nën administrim total ndërkombëtar. Polica e Kosovës që atëherë quhej Shërbimi Policor i Kosovës, përbëhej nga trupa që nuk ishin të pajisur për trazira të tilla. E megjithatë, disa pjesëtarë të Policisë treguan guxim duke rrezikuar jetën e tyre për të ndihmuar e mbrojtur serbë në shumë qytete dhe fshatra.

Prej atëherë shumica e dëmeve materiale që atë kohë kishin marrë përparësi para humbjeve njerëzore, u rikuperuan. Objektet e kultit fetar ortodoks u rinovuan me para të taksapaguesve të Kosovës. Atyre sot u ofrohet mbrojtje e fizike e veçantë nga Policia e Kosovës.

20 vjet pas, i kujtojmë ato ngjarje, ndonëse me shumë të panjohura se si rrodhën, teksa ia rikujtojmë vetes se paqja dhe siguria nuk mund të merren të mirëqena. Ato janë më të vështira se dhuna, sepse duhet të mbahen, ruhen e mirëmbahen vazhdimisht.

E ajo çka dimë është që Egzoni, Avniu dhe Florenti i mungojnë familjes, dhe të gjithë neve edhe sot, për çdo ditë.

/TV Arbëria

Powered by WordPress