Rusët filluan të votojnë të premten në ditën e parë të zgjedhjeve presidenciale treditore, në të cilat presidenti Vladimir Putin e ka pothuajse të sigurt fitoren tanimë.
Ai do ta zgjasë sundimin e tij për edhe gjashtë vjet të tjera, pasi secili kundërshtar i tij serioz s’u lejua të garojë kundër tij nga Kremlini, i cili po zhvillon një luftë brutale ndaj mediave të pavarura dhe mospajtuesve.
Zgjedhjet, të cila nuk pritet të jenë as të lira e as të drejta, janë të parat që mbahen në Rusi prej se Putini e nisi pushtimin e shtetit fqinj, Ukrainës, në shkurt 2022.
Putin, 71 vjeç, i cili ka qenë president, apo kryeministër për ati 25 vjet, po garon kundër tre politikanëve pak të njohur – liderit të Partisë Liberal-Demokratike, Leonid Slutsky, nënkryetarit të Dumes Shtetërore Vladislav Davankov nga Partia e Re e Popullit, si dhe kundër ligjvënësit të Dumes së Shtetit Nokolai Kharitonov nga Partia Komuniste – qëndrimet politike të të cilëve zor që dallojnë nga ato të Putinit.
Boris Nadezhdin, një politikan 60-vjeçar me qëndrime kundër luftës, nuk u lejua të garojë nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Rusisë muajin e kaluar, për shkak të, siç tha, nënshkrimeve të pavlefshme të përkrahësve në aplikacionin e tij për t’u regjistruar si kandidat presidencial.
Ai u ankua, por vendimi i komisionit u mbajt në fuqi nga Gjykata Supreme e Rusisë.
Qendrat e para të votimit u hapën në Lindjen e Largët të Rusisë. Gjatë ditës, votuesit do t’i hedhin votat e tyre në gati 100.000 qendra votimi në 11 zona kohore të vendit, si dhe në rajonet e Ukrainës të cilat Moska i aneksoi jashtëligjshëm.
Ukraina dhe qeveritë perëndimore e kanë dënuar Rusinë për mbajtjen e zgjedhjeve në rajonet ukrainase, duke i cilësuar ato të jashtëligjshme.
Rezultati i zgjedhjeve pritet të bëhet i ditur më 18 mars.
Meqë kundërshtarët e Putinit janë në burg, në mërgim apo të vdekur, rezultati i zgjedhjeve dihet tanimë.
Në një sondazh të bërë nga VTSIOM News në fillim të marsit, 75 për qind e qytetarëve që kanë për qëllim të votojnë, thanë se votën do t’ia hedhin Putinit, ish-oficerit të inteligjencës së jashtme të KGB-së.
Lufta e pamëshirshme që i ka shtypur mediat e pavarura dhe grupet për të drejtat e njeriut nisi para se Moska të fillonte pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022, por ajo është bërë edhe më e ashpër prej atëherë.
Gati një muaj para zgjedhjeve, kritiku më i zëshëm i Putinit, Alexei Navalny, vdiq në një burg të izoluar në Arktik në rrethana shumë të dyshimta, pasi po vuante dënime me burgim të cilat cilësoheshin si të motivuara politikisht.
Analisti politik rus, Ivan Preobrazhensky, i përshkroi zgjedhjet si një “operacion të posaçëm për ta riemëruar Vladimir Putinin”, një referencë ndaj eufemizmit që përdor Kremlini për luftën kundër Ukrainës, të cilën e quan “operacion të posaçëm ushtarak”.
“S’ka asnjë mënyrë që t’i quani këto zgjedhje”, tha ai për Radion Evropa e Lirë. “Dhe shumica e popullatës e kupton këtë në mënyrë të përsosur”. /REL/