Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kurti diskuton me ministrat e tij për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat në veri

Kurti diskuton me ministrat e tij për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat në veri

Kryeministri i vendit, Albin Kurti me një pjesë të kabinetit të tij qeveritar diskutoi mbi përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës, dhe për projektet infrastrukturore që do të mund të planifikoheshin dhe zbatoheshin në komunat me shumicë serbe për Lojërat Mesdhetare 2030.

Në njoftim thuhet se Kurti takoi ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ministrin për Administrimin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe zëvendësministrin për Komunitete dhe Kthim, Radoica Radomiroviq, zëvendësministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, si dhe zëvendësministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri.

“Ministrat dhe zëvendësministrat e informuan Kryeministrin për punët që po kryejnë dhe aktivitetet që po i zhvillojnë anekënd Kosovës, e në veçanti në mjediset e banuara me komunitetin serb. Bashkë diskutuan mbi përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës, dhe për projektet infrastrukturore që do të mund të planifikoheshin dhe zbatoheshin në komunat me shumicë serbe për Lojërat Mesdhetare 2030”, thuhet në komunikatë.

Më tej thuhet se zhvillimi dhe zbatimi i planit për organizim të lojërave, që padyshim sjell edhe zhvillim të komunave edhe në aspektin ekonomik, në komunat në veri të Kosovës, ishte po ashtu pjesë e diskutimit. Kryeministri Kurti theksoi nevojën e zhvillimit të komunave në dobi të qytetarëve, ashtu që askush të mos ngelet mbrapa.

“Qeveria e Republikës do të mbështesë çdo nismë ligjore që rrit mirëqenien e qytetarëve dhe ndikon në përmirësimin e mirëqenies, përmes investimeve, nismave dhe subvencioneve e granteve, për çdo komunitet”, thuhet në njoftim.

/TV Arbëria

Powered by WordPress