Shkruan: Afrim Kasolli
Deklarimi i Papa Françeskut se Ukraina duhet ta “ngritë flamurin e bardhë” dhe të kthehet në tavolinën e bisedimeve me Rusinë për t’i dhënë fund luftës u shoqërua më një valë të madhe zemërimi të shumë liderë perëndimorë. Madje ky pozicion befasues i Papës u quajt i “ turpshëm dhe i pakuptueshëm” si dhe dështim flagrant i drejtuesit të Vatikanit për ta dënuar Moskën si agresore.
Ndër të parët që pat reaguar ndaj këtij qëndrimi të udhëheqësit shpirtëror të Kishës Katolike, ishte ministri i jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, duke thënë se“Flamuri ynë është verdh e kaltër. Me këtë flamur ne jetojmë, vdesim dhe triumfojnë. Ne nuk do të ngremë kurrë të tjerë flamuj”.
Ndërkohë, pas pak, po ashtu presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e kritikoi Françeskun , duke thënë se “kisha duhet të jetë me popullin. Dhe, jo 2.500 kilometra larg, diku, të ndërmjetësojë virtualisht mes dikujt që dëshiron të jetojë dhe dikujt që dëshiron të të shkatërrojë”.
Nuk munguan as interpretime që këto deklarime të Papës të cilësohen si pjesë e strategjisë së Selisë së Shenjtë që daton që nga pjesa e parë e shekullit XX, duke aluduar kështu, “ në heshtjen e Vatikanit gjatë Luftës së Dytë Botërore, pra në kohën kur Papa Pius XII heshti gjatë Holokaustit. Ndërkohë ,Vatikani ka argumentuar se nuk ka qenë në gjendje, t’i verifikonte raportimet diplomatike për mizoritë naziste, prandaj nuk i kishte dënuar ato” .
Serisë së këtyre reagimeve iu shtua edhe ai Shefi të NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe nga zyra e presidentit të SHBA-ve Joe Biden. I pari deklaroi se “Nuk është koha për të folur për dorëzim nga ukrainasit. Kjo do të ishte një tragjedi për ukrainasit. Do të ishte gjithashtu e rrezikshme për të gjithë ne”, kurse zyrtarë të administratës amerikane deklaruan, se “Presidenti Biden ka respekt të madh për Papa Françeskun dhe i bashkohet atij në lutjet për paqen në Ukrainë që mund të arrihet nëse Rusia vendos t’i japë fund kësaj lufte të padrejtë dhe të paprovokuar dhe të tërheq trupat e saj nga territori sovran i Ukrainës”
Ky presion i gjithanshëm publik mbase ka ndikuar që Vatikani nëpërmjet Kardinalit Pietro Parlin, sekretar i Shtetit dhe bashkëpunëtori më i afërt i Papës të tentojë t’i korrigjojë pohimet e Papës, duke deklaruar se “kushti i parë” për arritjen e paqes në Ukrainë është që Rusia “t’i japë fund agresionit të saj”.
Mirëpo, nëse e shohim dinamikën e ngjarjeve në terrenin e luftës që është duke u zhvilluar aktualisht, mbase Papa kishte më shumë të “drejtë” në rekomandimin e tij për flamurin e bardhë pë t’u ngritur nga Ukraina, se sa tentimi për “korrigjim” që u sajua më vonë nga Vatikani.
Në një kohë, kur rrjedha e luftës në terren nuk është duke shkuar në favor të Ukrainës, duhet të dihet se agresioni Rus nuk mund të ndalet me mbështetje “liberale” në rrjetet sociale. Por ky agresion, mund të ndalet ashtu siç ka qenë e ditur prej fillimit me mbështetjen financiare dhe ushtarake perëndimore dhe atë kryesisht të SHBA-ve, sepse po ashtu ka qenë e ditur edhe në këtë rast që nga fillimi, se Bashkimi Evropian nuk i posedon sistemet e avancuara dhe komplekse ushtarake amerikane për t’i dalur në ndihmë ushtrisë ukrainase gjatë përballimit të këtij agresioni. Mirëpo, kjo mbështetje tashmë ndodhet në rrezik dita ditës për shkak të bllokimit që i ka bërë Kongresi paketës financiare dhe ushtarake të propozuar nga presidenti Biden. Po ashtu, nëse i marrim si të sinqerta deklarimet e kryetarit të Hungarisë, V.Orban, se nëse fiton kandidati republikan, ish-presidenti Trump, do t’i bllokonte ndihmat për Ukrainën, atëherë mund të imagjinohet fundi i këtij konflikti.
Në fund të fundit, siç shkruante para pak dite Fareed Zakaria duke e cituar një zyrtar të BE-së “ukrainasit janë trima dhe të vendosur. Por ata nuk janë superemen. Pra ata nuk do të jenë në gjendje që të rezistojnë dhe më shumë nëse nuk kanë armatim të nevojshëm dhe pajisje e të tjera të domosdoshme”.
Në këtë kontekst, që thirrja e Papës të jetë e “gabuar” atëherë, thirrja e presidentit të Francës Eamanul Macron, se nuk duhet që të përjashtohet skenari i dërgimit të trupave perëndimore në terrenin e luftës si mbështetje për Ukrainën, nëse perëndimi nuk dëshiron ta humb këtë luftë, të shihet si e “drejtë” Deklaratë kjo që po ashtu u kritikua nga shumë liderë. Mirëpo, vazhdimi i kësaj qasje duale, ku edhe “përfaqësuesi i qyteti të Zotit , si edhe ai i tokës” e kanë “gabim”, mbase mund të dëshmojë me kalimin e kohës se të dy kishin të “drejtë” në kohën kur u deklaruan.
/TV Arbëria