Shkruan: Afrim Kasolli
Kanë kaluar më se 43 vjet, që kur rina studentore e Universitetit të Prishtinës u ngrit në këmbë kundër ish-regjimit Jugosllav. Më 11 mars të vitit 1981 rrugët e kryeqytetit u mbushën me të rinj dhe të reja që po kërkonin trajtim të barabartë dhe të drejtë për shqiptarët Kosovës. Këto demonstrata u paraprinë nga revoltat që filluan me 4 mars në Mensën e Studentëve, si shprehje e pakënaqësisë ndaj kushteve jo të mira. Kurse u pasuan me 27 mars si dhe më 1 dhe 2 prill.
Kuptohet demonstratat e vitit 1981 morën hov dhe u nxitën nga një nevojë e brendshme e popullit shqiptar për të korrigjuar padrejtësitë që vazhdonin të bllokonin potencialet tona, si individuale ashtu dhe kolektive, nën emrin e miteve të proletarizimit komunist. Ato nuk kërkonin asgjë me shumë dhe as më pak se sa barazi, drejtësi dhe liri. Siç tregojnë statistikat e asaj periudhe, pasuritë e Kosovës ishin shndërruar vetëm në lëndë të parë për prodhimin industrial për ish republikat tjera të ish-Jugosllavisë. Të ardhurat mesatare të jetës në Kosovë ishin shumëfishë më të ulëta se sa në republikat tjera.
Prandaj kërkesa për Kosovën Republikë ishte shprehje e kësaj intence historike për të eliminuar këto raporte të pabarabarta që frenonin zhvillimin tonë. Parullat ‘Kosova Republikë’, ‘Jemi shqiptarë, jo jugosllavë’, ‘duam lirimin e Adem Demacit’, ‘Trepça punon për të tjerët’, ‘Poshtë borgjezia e kuqe’ qenë më të dalluarat.
Këto demonstrata u shtypën në mënyrë mizore. Njësitë policore dhe ushtarake, madje edhe njësitë e sapoformuara të mbrojtjes territoriale nga e tërë Jugosllavia, u sollën në Kosovë ku tashmë ishte shpallur gjendja e jashtëzakonshme. Burgosjet, maltretimet dhe persekutimet u shndërruan në përditshmëri të kohës. U vranë mbi 10 demonstrues. Ndërsa në vitet në vazhdim numri i të dënuarave politikë arrin në mijëra vetë.
Mirëpo, këto masa anakronike nuk arritën ta shtypin aspiratën e natyrshme të një populli, dëshirën e flaktë për çlirim përfundimtar nga zgjedhja serbe. Në të vërtetë, ato e përndezën edhe më shumë këtë gjakim për liri. Madje ekzekutuesit e saj me këto veprime tregonin se sa naivë ishin dhe sa pak njohuri kishin për karakterin e lëvizjes kombëtare shqiptare. Frymën dhe esencën e kësaj lëvizje e kishte përshkruar në mënyrë brilante veprimtari më i spikatur i çështjes nacionale, bacë Adem Demaci, në një interviste për gazetën Borba, ku deklaronte se “kryengritja e vitit 1981, po them kryengritje se ajo njëmend ishte e tillë, ka dëshmuar se Lëvizja jonë funksionon sipas principit të miellit dhe ujit. Veprimet e pamenduara të burokracisë dhe policisë shtojnë protestat, aktorët e të cilave burgosen, kështu që të tjerët kërkojnë lirimin e tyre, e kështu me radhë. Mielli dhe uji kthehen në brumë që rritet dhe mendojini me mijëra që kanë kaluar nëpër burgje se cili është përcaktimi i tyre” përfundon ikona e sakrificës sonë kombëtare.
Demonstrat e vitit 1981 shkruante Ukshin Hoti i hodhën parimet e demokracisë autentike. Demistifikuan një zgjidhje të rrejshme. Ato nuk u importuan nga askush. Por ishin shprehje vetanake dhe sinqertë e shtytjeve të një populli që i ndalohej padrejtësisht zhvillimi. Ato treguan qartë si loti se kauza kombëtare shqiptare mund të kanalizohet drejtë dhe si duhet e të vetëm me instalimin e proceseve dhe normave të njëmendta demokratike. Kurse socializmi kishte dështuar pikërisht në këtë mision, fakt ky që më vonë do të verifikohej nga historia. Kështu me këtë përcaktim, mbartësit e demonstratave të vitit 1981, përshpejtuan rrënimin e zgjidhjeve paliative e të improvizuara, çfarë i kishte sajuar ish-Jugosllavia.
Pra nën peshën e këtyre ngjarjeve u lindën ato forca që i galvanizuan aspiratat demokratike të shqiptarëve. Ato shpërfaqen kalbjen e sistemit komunist. Kurse së bashku me protestat qe u zhvilluan njëkohësisht edhe në Poloni nga Solidarnosti për të drejtat e punëtorëve, këto ngjarje pasqyruan paaftësinë e “botës qe erdhi prej të ftohtit polar rus”, për të adresuar dy nga problemet themelore të epokës moderne; çështjen nacionale dhe garantimin e mirëqenies së punëtorëve. Dhe se vetëm demokracia si sistem i vlerave ofronte akomodim për këto projekte komplekse politike dhe ekonomike.
Me anë të këtij kontestimi u shtrua rruga për mobilizimin e potencialeve kombëtare për çlirim që e arriti kulmin me luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Natyrisht ky proces do zhvillohet me shumë shterpëzime , sakrifica, humbje, krajata dhe tragjedi njerëzore. Kalvari i mos-nënshtrimit dhe mos-kapitullimit mori përmasa biblike. Lirisht mund të thuhet se asnjë popull nuk e ka paguar me shtrenjtë se sa shqiptarët gjakimin për demokraci. Tagri i kësaj aspirate ishte i jashtëzakonshëm. Sikur të ekzistonte çmimi Nobel për Demokraci atëherë padyshim shqiptarët e Kosovës do ta meritonin të parët një vlerësim dhe dekorim te tillë prestigjioz.
/TV Arbëria